Site icon Telegrafi

Festa në fshatin me një shtëpi

Fshati i rrënuar krejtësisht kishte marrë epitetin e fshatit fantazmë, pasi që në gërmadhat e shtëpive të fshatit ke mundur të hasësh vetëm qen, dhelpra, ndonjë ujk apo ndonjë ari që zbrisnin nga bjeshka, por edhe gjarpërinjtë paraqisnin rrezik për ata që kalonin andej e sidomos për ata banorë të fshatit që shkonin “për të hequr mall” te shtëpitë gërmadha.

Në maje të bjeshkës, që quhet “Çuka e Skoçnes”, ndodhen themelet e një kalaje të vjetër, një monument kulturor e historik për të cilën nuk ishte bërë asnjëherë ndonjë hulumtim për të ditur se cilës periudhë i takon. Megjithatë, këtij fshati që dikur kishte 23 shtëpi, ngadalë, por sigurt po i kthehet jeta. Bijtë e këtij fshati, siç thonë në fshat, nuk e lënë atë të vdesë, përkundrazi kanë vendosur ta ringjallin.

Një shtëpi dykatëshe, e vetmja në këtë fshat, ka zgjuar kërshërinë e vushtrriasve, por edhe të institucioneve komunale. Rasim Lahu, një ish-zyrtar komunal, kishte vendosur të kthehet në truallin ku kanë jetuar gjysh e stërgjysh. Me bashkëshorten e tij, mësuese, Rasimi është bërë banori i parë i fshatit në të cilin ishte lindur.

“Gjithmonë kam menduar që një ditë të kthehem në fshat dhe koha erdhi kur dola në pension. Ato bjeshkë, ato fusha, ara e livadhe sikur me thërrisnin, sikur e dëgjoja zërin e babait, të gjyshit e të kushërinjve. Deri vonë aty kishte jetë, i kujtoja ato kohë dhe vendosa të kthehem. Ua thashë gruas, djemve e vajzave se kam vendosur të kthehem atje, se diçka po ma gërryen shpirtin, nuk po më le të qetë.

Ata më përkrahen, më ndihmuan dhe në këtë mënyrë ndërtova shtëpinë. Më ka ndihmuar shumë fakti se dy kushërinj, Tasimi dhe Basriu, pak kohë më përpara patën ndërtuar nga një fermë, Basriu fermë lopësh, ndërsa Tasimi fermë delesh e të dhive. Në këtë mënyrë kam pasur me kë ta ndërroj ndonjë fjalë, besa edhe të bëjmë plane që t’i sjellim në fshat edhe banorët tjerë që janë shpërngulur”, tregon Rasimi, derisa hapte derën e shtëpisë, e vetme në Skoçne.

Njeriu që ktheu jetën në Skoçne thotë se kushtet për të jetuar aty janë shumë të vështira, por dëshira për ta jetësuar amanetin e të parëve të tij ka qenë shumë më e madhe.

“Problemet më të madha janë rruga dhe rryma. Nga qyteti i Vushtrrisë Skoçna është larg 6 kilometra dhe sikur kjo rrugë të asfaltohej, si dhe sikur të instalohej rrjeti elektrik, atëherë sigurisht që banorët nuk do të hezitonin të ktheheshin”, thotë ai./Zëri/

Exit mobile version