28 Nëntori erdhi! E në këtë ditë të madhe retorika po lulëzon, fotografia e bukur po dominon. Shumë nga ne po gëzon e po feston. Me të drejtë, me vend dhe kështu edhe duhet të jetë.
Por, unë mendoj tjetër, ndoshta më ndryshe…
Sa më përket mua, mendoj se këto vite i kemi shfrytëzuar shumë keq. Shqipëria dhe shqiptarët vazhdojnë të mbeten një nga vendet më të varfra të Evropës. A nuk të gjakon zemra, e, a nuk të dhemb shpirti kur shef nëna me fëmijë në gji, pikërisht me 28 Nëntor, e bash në ditën e Flamurit, të arratisen e të ikin nga vendi e Shqipëria e tyre!
Loti nuk të lejon të shohësh qartë familjet shqiptare duke pritur në rresht për të ikur (paramendo, përmes Serbisë) për të shpëtuar… nga varfëria, poshtërimi e jonjerëzia!
Shqiptarë, këtu e atje, në vend e në mërgim,
Na mbyti ende injoranca dhe mungesa e racionalitetit. Klasa jonë drejtuese është bërë gazi i botës. Nuk kemi sinqeritet e as pastërti në mes veti. Shqiptarët dhe dheu i tyre vazhdon të jetë i ndarë midis Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Greqisë e Malit të Zi. Edhe atë pak territor që na ka mbetur, po e përdhunojmë ditë për ditë, e si mos më keq.
Të jem i drejtpërdrejtë: Sot s’ka asgjë për t’u gëzuar. Sot ka më shumë arsye e vend për hidhërim, pezëm e lot. Zhgënjim!
Me dhembje në zemër e me shpirt, si asnjëherë të mallëngjyer, uroj që kjo festë të shërbejë për të menduar, se ku jemi pas këtyre vitesh pavarësi si komb, e si njerëz para se gjithash. Ku kemi ndërmend të shkojmë si shqiptarë, me cilat vlera?
Kam frikë se nesër kjo ditë do të jetë veçse një rast tjetër për" fotografi" e për reklamë mediatike, rast për të valëvitur flamurin kuqezi nga "patriotët" e degjeneruesit të këtij kombi e të këtij vendi.
Nokë, biri im, gëzuar 28 Nëntori!
Luftëtarë të tradhtuar e të poshtëruar, gëzuar 28 Nëntorin, festën jozyrtare të flamurit kombëtar