Pas kërkesës së Serbisë për dënimin e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit për festimin me simbolin e shqiponjës, FIFA ka nisur një hetim disiplinor në lidhje me dy futbollistët që e përfaqësojnë Zvicrën.
Dy mesfushorët shqiptarë shënuan gola në fitoren e Helvetikëve kundër Serbisë në Kampionatin Botëror dhe festa e tyre ishte formimi i shqiponjës me duar – një simbol kombëtar shqiptar.
Diçka e tillë është konsideruar si provokim nga serbët që kanë bërë ankesë në FIFA.
“Mendoj se në futboll gjithmonë ka emocione. Mund të shihni se ajo që kam bërë ka pasur të bëjë me emocionet. Jam shumë i lumtur që e kam shënuar atë gol. Mendoj se nuk ka nevojë të flasim për këtë çështje tash”, është shprehur Shaqiri.
Përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkovic, ka thënë se lojtarët e tij janë përfshirë nga atmosfera dhe shpreson që festa e tyre nuk do të lidhet me politikën.
“Asnjëherë nuk duhet të ngatërrohet politika dhe futbolli. është e kuptueshme se emocionet shfaqen dhe kështu ndodhin gjërat”.
“Mendoj se të gjithë duhet të qëndrojmë larg politikës në futboll dhe të përqendrohemi te sporti si një lojë e bukur dhe diçka që i bashkon njerëzit”, është shprehur Petkovic. /Telegrafi/