Site icon Telegrafi

Festa e veçantë e shqiptarëve, sot festohet Dita e Verës

Dita e Verës është një festë pagane me origjinë të lashtë në Shqipëri.

Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë pikërisht në 14 mars. Ballokumja është gatimi tradicional që e karakterizon këtë festë. Ndërsa në disa zona të Shqipërisë ndizen edhe zjarre.

Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores” një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë.

Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.

Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet në qytetin e Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve.

Aktivitetet në Tiranë

100 aktivitete të shpërndara në 10 zona janë organizuar të mbahen sot në Tiranë në Ditën e Verës.

Ato përfshijnë të gjithë grupmoshat, nga fëmijët deri tek të rriturit.

Aktivitetet do të jenë nga më të ndryshmet, do të nisin nga mëngjesi e do të vijojnë deri pas mesnatë.

Në sheshin ‘Skënderbej’ do të performojë ansambli i Tiranës dhe ai kombëtar. Do të ketë këngëtarë e Dj, mes tyre edhe artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Enisa.

Sheshi “Nënë Tereza” do të jetë i dedikuar për aktivitetet sportive ku do të luhen futboll, basketboll, tenis e shumë sporte të tjera.
Tek parku i liqenit për fëmijët do të jetë cirku Tiranës, banda e qytetit e do të zhvillohen lojëra argëtuese.

Ndërsa në orët e pasdites do të ketë koncert festiv për të gjitha moshat.

Në mënyrë që këto aktivitete të zhvillohen sa më lirisht, do të ketë bllokim të rrugëve në kryeqytet, që nisin që prej të hënës e vijojnë gjatë ditës së martë.

Sheshi “Nënë Tereza” do të jetë i bllokuar që prej orës 07:00 të ditës së hënë deri në orën 18:00 të datës 14 mars. Edhe në rrugën ‘Ibrahim Rugova” bllokimi nisë që prej të hënës në orën 12:00 dhe do të vijojë deri në orën 23:00 të së martës.

Po ashtu do të jetë i bllokuar prej së martës në 8 të mëngjesit e deri në orën 16:00 Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët që lidhen me të. /Telegrafi/

Exit mobile version