Site icon Telegrafi

Sheshet përplot njerëz, flamuj, daulle e tupana: Gjithçka që ndodhi në festën e 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Në 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sheshet dhe bulevardet e kryeqytetit i ngjanin 17 shkurtit të vitit 2008. Mijëra qytetarë, sikurse të dielën e acartë të 17 shkurtit të para 12 viteve, sot në një ditë me diell pranveror, kishin ‘pushtuar’ Prishtinën për të madhëruar këtë ditë festive.

Aktivitetet festive filluan që në orën 8:00, kur u bë ngritja e flamurit shtetëror në oborrin e Qeverisë, ku të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe komandanti i FSK-së gjenerali Rrahman Rama. Derisa garda ceremoniale ka bërë ngritjen e flamurit, është bërë edhe intonimi i himnit shtetëror nga bendi i FSK-së.

Foto: Ridvan Slivova /Telegrafi/

Më pas, dy udhëheqësit shtetërorë, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe  tek kompleksi memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, si dhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, transmeton Telegrafi.

Për kryeministrin Kurti ishte vizita e parë tek varri i presidentit Rugova. Para mediave ai ka thënë se si kryeministër kujton presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

Ai ka thënë se vlerëson përpjekjen dhe angazhimin politik për liri, pavarësi të Ibrahim Rugovës.

Foto: Ridvan Slivova /Telegrafi/

Ndërsa, seanca solemne kushtuar 12-vjetorit të pavarësisë filloi në orën 11:00.

Seanca solemne nisi me një aksion simbolik për të cilën u përkujdes Partia Demokratike e Kosovës.

Me të hyrë në sallë kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, deputetet e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Evgjeni Thaçi- Dragusha kanë vendosur flamurin e UÇK-së afër atij të Kosovës.

Foto: Ridvan Slivova /Telegrafi/

Në seancën solemne, të pranishëm ishin dy udhëheqësit shtetërorë, përfaqësues të familjeve Jashari e Rugova, deputetë dhe të ftuar ndërkombëtarë e vendorë, ndërsa në seancë mungoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin u tha se arsyeja e mungesës në seancë ishte agjenda e tij në Bruksel.

Në seancën solemne, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pavarësia e Kosovës më 17 shkurt është e pakthyeshme, derisa ka bërë thirrje për ruajtje të sovranitetit territorial.

Gjatë seancës solemne të 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për arritje të aspiratave të kombit shqiptar.

Foto: Ridvan Slivova /Telegrafi/

Gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, kanë vizituar Forcën e Sigurisë se Kosovës.

Kurti ka thënë se uniforma e ushtarëve të FSK-së, është mëshirim i sakrificës tonë.

“Është kënaqësi të jem me ju sot në këtë ditë të rëndësishme për shtetin tonë. Të gjithë ne që marrim poste publike e ministrore jemi në shërbim të qytetarëve në çdo kohë dhe gjatë gjithë kohës. Mbi ju bie detyra e rëndë dhe e shenjtë për mbrojtjen e vendit. Uniforma juaj është mëshirim i sakrificës tonë”, ka thënë Kurti.

Foto: Ridvan Slivova /Telegrafi/

Ndërsa, kryeparlamentarja, Osmani në fjalimin e saj para të pranishmëve, tha se amaneti i të parëve është jetësuar sepse kemi shtetin dhe ushtrinë.

“Ushtria e Kosovës është produkt i Kosovës për liri, i rezistencës së një populli të tërë, i gjakut të dëshmorëve, por edhe i miqësisë së hershme e të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian që ishte nisur si mision strategjik nga presidenti ynë historik, dr.Ibrahim Rugova”, deklaroi ndër tjerash Osmani.

Foto: Ridvan Slivova /Telegrafi/

Para shumë qytetarëve, është prezantuar obelisku “NewBorn” me pamje të re, që sivjet iu kushtohet të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Në çdo shkronjë kishte një mbishkrim që ishte shkruar nga të dhunuarat seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani premtoi se zëri i të mbijetuarave të dhunës seksuale do të dëgjohet përgjithmonë.

Foto: Ridvan Slivova /Telegrafi/

E ndaras nga dy liderët tjerë të shtetit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar pjesëtarëve të FSK-së, rreth orës 17:00.

Ai ka thënë se ka thënë se bazementi i Ushtrisë së Kosovës është gjaku i derdhur për liri.

“Ushtarë të nderuar, bazamenti i Ushtrisë së Kosovës është gjaku i derdhur për liri, janë heronjtë tanë, dëshmorët e lirisë, invalidët e luftës, veteranët e luftës, kontributi i diasporës, është sakrifica e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka pohuar ai.

Presidenti Thaçi, i ka porositur ushtarët e Kosovës, që ta bartin me nder uniformën, duke shtuar se Kosova së shpejti do të jetë pjesë e NATO-s.

Në 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nuk munguan as urimet e shumta, nga ambasadorët e huaj në Kosovë.

Urimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e 12 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Në urimin e ambasadës amerikane thuhet se, “ne festojmë së bashku me qytetarët e Kosovës në këtë 12 përvjetorë të pavarësisë”.

Urimi i Gjermanisë në 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës:

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka uruar 12 vjetorin e pavarësisë.

Përmes një postimi në Twitter, ambasadori Heldt ka thënë se “Gjermania është sot me ju për të nesërmen e përbashkët në Bashkimin Evropian”.

Urimi i Britanisë së Madhe në 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës:

Në urimin e ambasadës britanike thuhet se “Mbretëria e Bashkuar do të jetë partneri yt, përderisa zhvillohesh dhe përparon për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për stabilitetin e rajonit”.

Për 12-vjetorin e pavarësisë, Kosovën e uruan edhe shumë vende tjera nga rajoni.

Më poshtë mund t’i shihni disa fotografi nga atmosfera në kryeqytet në kremtën e 12-vjetorit të pavarësisë,  të realizuara nga Telegrafi:

Exit mobile version