Site icon Telegrafi

Festa e mësuesit – të hënën në shkolla organizohen disa aktivitete

Foto: Ilustrim

Të hënën më 7 mars në vend shënohet Dita e Mësuesit, ku Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës bën të ditur se në shkolla do të organizohen disa aktivitete.

Kryetari i SBASHK-ut, Rraman Jasharaj ka thënë për Telegrafin se për dallim nga vitet e kaluara, kësaj radhe nuk do të organizojnë manifestimin qendror në Prishtinë, por që aktivitetet do të jenë të shpërndara nëpër shkolla.

“Para pandemisë SBASHK e kishte tradite që të organizojë manifestim qendror në sallën 1 tetori duke i bërë bashkë kolegët tanë tanë, e duke u ndarë nga një mirënjohje mësimdhënësve që janë pensionuar për punën që kanë bërë me vite në arsim. Mirëpo rekomandimet e institutit të shëndetit publik dhe gjendja me pandeminë e cila po krijon probleme ndonjëherë më të mëdha ndonjëherë më të vogla, ka bërë që këtë aktivitet ta shpërndajë nëpër komuna”, theksoi ai.

Jasharaj tha se në të gjitha komunat e Kosovës do të ndahen mirënjohje për mësimdhënësit që tashmë janë pensionuar.

“Pra në të gjitha komunat e Kosovës, niveli komunal, sindikal do të bëjë takime me të pensionuarit, duke iu ndarë mirënjohje dhe duke u shprehur respektin, për punën që kanë bërë e po ashtu dhe në institucionet shkollore më 7 mars, do të bëjnë aktivitete modeste për ta shënuar këtë datë të madhe”, deklaroi ai.

Kreu i SBASHK-ut, po ashtu ka bërë të ditur se edhe këtë vit planifikojnë që të dërgojnë në bregdetin shqiptar disa mësimdhënës në muajin qershor.

“Këshilli drejtues ka autorizuar dhe nga buxheti i SBASHK ka autorizuar mjete, nëse situata është e qetë edhe këtë vit do të vazhdojmë traditën e mirë për të dërguar në bregdetin shqiptar një numër të konsiderueshëm të punëtorëve të arsimit, ne po shikojmë mundësitë buxhetore dhe sa anëtarë do të dërgojmë.

Pastaj, mbetet që komunat t’i caktojnë institucionet, dhe institucionet të vendosin se kush nga të punësuarit do të shkojë, nëse situata nuk përkeqësohet edhe këtë vit ka fundi i qershorit, SBASHK do të dërgojë rreth 450 mësimdhënës në bregdetin shqiptar”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/ 

 

Exit mobile version