Dikë e pengon paraqitja jonë si shqiptarë dhe pretendon të na shtyjë të besojmë se jemi të tjerë, jemi kosovarë, dikë tjetër e irritojnë ngjyrat e flamurit kuq e zi se ia kujtojnë “nacionalizmin”, një tjetri plisi dhe tirqit ia kujtojnë origjinën e tij nga fshati apo një njeri tjetër ikë nga veshjet kombëtare dhe muzika tradicionale, pasi që mendon se identifikimi me to e bën të vërehet se është “katundar”.
Dikush tjetër ngaqë nuk i kupton vlerat e muzikës së mirëfilltë, muzikën tradicionale e cilëson “muzikë tallava” dhe ikë prej saj si prej shejtanit. Një tjetër nga kompleksi se do të cilësohet “i dalë mode” për t’u paraqitur ”modern” dhe ”urban” shprehet se s’ka asgjë të përbashkët me katundin, që d.m.th. as me kulturën rurale.
Madje, duke e lidhur gjithmonë kulturën tradicionale me patriotizmin e nacionalizmin, shumica ikin edhe nga identifikimi me këtë ndjenjë duke menduar se të paraqiturit “intenacionalist” e “multietnicist” do t’i bëjë të duken “modern”, “globalist” e “kozmopolit”.
Duke ikur nga identifikimi me fshatin dhe me patriotizmin synojnë të tregohen “urbanë” dhe “të moderuar”. Por të gjitha këto pretendime, për t’u paraqitur ashtu siç nuk jemi janë të destinuara të dështojnë dhe përkundrazi, në vend se të dukemi ashtu si pretendojmë, do të vërehemi qartë se po shtiremi.
Origjina e këtij demaskimi është pikërisht në faktin se pretendojmë të mohojmë identitetit tonë të mirëfilltë kombëtar, identetin tonë të vërtetë, identitetin shqiptar. E ky mohim identiteti më së shumti ka të bëjë me kompleksin e inferioritetit, me ndjenjën e të qenit i vogël dhe i parëndësishëm para tjetrit që e cilësojmë në epërsi ndaj nesh.
Gjithmonë pretendimi i të voglit për t’u paraqitur i barabartë me të madhin, dihet se çfarë pamje jep. Dihet se çfarë del fshatari që synon të paraqitet qytetar, kombëtari që synon të paraqitet ndërkombëtar, i paarsimuari që synon të paraqitet akademik, tradicionalisti që synon të paraqitet modern e shembuj të tjerë që lidhen me këtë kontekst.
Këto ditë, ky mohim i identitetit tonë kombëtar, edhepse jo tërësisht nën nocionin e mohimit, shkoi deri në masën e “shpërfilljes”, në masën e mosfestimit të ditës sonë të madhe kombëtare.
Kjo ditë, e cila neve shqiptarëve, kudo që jemi nëpër botë, edhe kur ishin nën okupimet nga më të rëndat që ka njohur historia jonë, nuk na ka kaluar pa e festuar dhe pa u ndier krenarë pse jemi shqiptarë, pra kjo ditë kaq e veçantë për ne shqiptarët, në një kohë kur pretendojmë se jemi liruar në pikëpamje të shprehjes së lirë të ndjenjës kombëtare, na vie e papërfillur nga institucionet tona shtetërore.
Në një kohë kur shqiptarët dhe çështja e tyre kombëtare më tepër se kurrë është ndërkombëtarizuar në qarqet më të larta të politikës së botës, vetë shqiptarët sikur kanë zgjedhur të jenë më të heshtur. Shqiptarët apo vetëm institucionet qeveritare të tyre?
Sigurisht se vetëm institucionet shtetërore, pasi që populli nuk e la pa e festuar, as kësaj radhe. U festua dhe u festua denjësisht, mirëpo me jo në krye institucionet shtetërore. Kësaj radhe popullit shqiptar në Kosovë në festim i priu Rrjeti i Organizatave Shqiptare me në krye Vetëvendosjen, falë së cilës shqiptarët edhe njëherë u ndien shqiptarë në ditën e tyre të madhe, në ditën e flamurit shqiptar.
Stolisja e qytetit me flamujt kombëtarë dhe prurja e traditës shqiptare, me të gjitha tiparet e veta autoktone nga zonat më të thella malore e rurale, në qendër të Prishtinës, na bëri të kujtohemi mirë se kush jemi, çfarë jemi dhe madje të ndihemi krenarë që jemi të këtillë.
Prezantimi i veshjeve tona tradicionale me gjithë koloritin e vet, me llojllojshmërinë e zonave prej nga vijnë dhe me laramaninë e ngjyrave të para të natyrës, të cilat janë produkt e artizanëve popullorë dhe kreativitetit tradicionalë të bartur nëpër breza, na bëri t’i kujtojmë kostumet tona popullore dhe të shprehim ndjenja pëlqimi për to.
Prezantimi i këngëve dhe valleve autoktone, të cilat gradualisht e më pak po na bie t’i dëgjojmë nëpër televizionet tona “urbane”, na e ktheu kujtesën tek këngët që i dëgjonin prindërit dhe gjyëshërit tanë dhe na bëri të ndjehemi të ekzaltuar dhe njëkohësisht nostalgjikë për një periudhë të bukur e të perënduar. Zurlat e tupanët që i shoqëronin këto këngë e valle, na e zgjuan nga brenda gjenin kombëtar dhe na bënë që të na vlojë shpirti përbrenda.
Improvizimi i odës tradicionale shqiptare në një tendë të madhe afër Teatrit Kombëtar, në të cilin rapsodët me instrumentet popullore këndonin këngët popullore me tematikë historike, këngët për trimëritë e heronjve tanë kombëtarë, na bënë të rrëqethemi dhe njëkohësisht të krenohemi me këto vlera të folklorit tonë.
Gjithashtu edhe produktet tradicionale manifakturale si dhe ato ushqimore, tipike nga mjediset tona familjare e lokale, të cilat i kemi të njohura nga duart e gjysheve dhe të nënave tona, si dhe të artizanëve popullorë, na bënë që këto produkte aq të njohura për ne, t’i shohim me sy vlerësues dhe t’i çmojmë edhe më tepër tani kur na vijnë në formë ekspozite në qytetin tonë.
Prezantimi i vlerave të këtilla të kuzhinës sonë popullore si dhe i mjedisit tonë tipik shqiptar, na bënë të ndihemi krenarë edhe para miqve tonë ndërkombëtarë, me ç‘rast patëm rastin t’u tregojmë atyre se edhe ne kemi veçanti kulturore tradicionale, se kemi një kulturë tipike tonën dhe e kemi të mirë e tërheqëse edhe për syrin e tyre. Vërtetë na bëri të ndihemi mirë dhe të na pëlqejë vetja.
Gjithashtu, ajo që na bëri të ndihemi më së miri qe mundësia e madhe që na u dha atë ditë që t’u tregojmë fëmijëve tanë, ashtu siç na kishin treguar neve prindërit tanë dhe atyre prindërit e tyre, për flamurin tonë kombëtar mbarëshqiptar, për vlerat e folklorit tonë, për historinë tonë kombëtare, për heroizmin e figurave të trimave të popullit tonë, për qytetet tona të bukura anë e mbanë trojeve shqiptare, e për shumë e shumë dëshmi të tjera vizuele nga kultura jonë kombëtare. Mundësia që ta forcojmë tek ta vetëdijen kombëtare, nëpërmjet atyre që i dëgjonin dhe i shihnin, na e lehtësoi shumë realizimin e dëshirës sonë që ta bartim edhe te brezat e rinj ndjenjën e mirëfilltë kombëtare.
Të përjetuarit e ndjenjës që na bëri të ndihemi të vlerësuar për atë çfarë jemi, të asaj çfarë për çdo ditë e jetojmë dhe nuk e dimë që e kemi, të asaj vlere, të cilën e kemi por nuk ia dimë tiparet e mira që i ka, na bëri të kujtohemi që jemi të mirë, që kemi veti të çmuara, që kemi cilësi të cilat na dallojnë nga të tjerët dhe të cilat na bëjnë të ndihemi krenarë. Të përjetuarit e kësaj ndjenje na bëri të ndihemi të vetëdijshëm për vlerat tona kombëtare dhe t’i pëlqejmë ato, na bëri të ndihemi të vetëvlerësuar.
Kjo ndjenjë na ndihmoi shumë në ngritjen e vetëdijes sonë për veten duke na bërë të ndihemi, qoftë edhe vetëm për atë ditë, superiorë dhe të mos vuajmë nga kompleksi i inferioritetit. Na bëri të ndihemi krenarë që jemi “katundarë”, që jemi “nacionalistë” e që jemi “tradicionalistë”. Na bëri të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë.