Site icon Telegrafi

Festa e ditëlindjes së blogeres ruse përfundoi me tre të vdekur, të ftuarit u hodhën në pishinën e mbushur me akull të thatë – pasoi horrori

Tre persona kanë humbur jetën dhe disa tjerë janë dërguar me urgjencë në spital për tretman, pasi “loja” në pishinën e mbushur me akull nuk shkoi si kishte menduar blogerja ruse Ekaterine Didenko.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale, shihet se si akulli i thatë që hidhet në pishinë në një hapësirë të mbyllur, ka bërë që të lirohet një sasi e madhe e dyoksidit të karbonit, ku hapësira e vogël në Moskë u shndërrua për pak sekonda në një dhomë gazi, transmeton Telegrafi.

Tragjedia ka ndodhur të premten mbrëma, ku Didenko po festonte 29-vjetorin e lindjes me familjarët dhe miqtë. Askush nuk priste që festa do të shndërrohet në tragjedi kur burri i Ekaterine, Valentin, hodhi në pishinë akull të thatë me qëllim që të arrihet efekti i “mjegullës” për fotosesion.

Në video shihen të ftuarit e veshur me rroba mbrojtëse dhe të tjerët të mbledhur rreth pishinës së vogël. Njëri prej tyre i lexon instruksionet në paketimin e akullit të thatë – madje në një moment tallet duke thënë se po shkruan se si akulli i thatë mund të jetë shumë i rrezikshëm – e gjitha ndodhi pak sekonda para se ta hidhte në pishinë.

Aty menjëherë të ftuarit fillojnë të kërcejnë në pishinë, e ndër më trimat në mesin e tyre edhe zhytet plotësisht, derisa një e ftuar tjetër tallet duke thënë “ai ka vdekur, nuk është më me ne”. Por kjo shaka shpejtë u shndërrua në realitet. Në kontaktin e parë me ujin, akulli i thatë filloi të avullon duke shkaktuar re të që liron dyoksid karboni.

Tre persona përfshirë burrin e asaj që festonte ditëlindjen kanë humbur jetën, kurse disa tjerë kanë përfunduar në spital. /Telegrafi/

Exit mobile version