Kampionati i Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut është aktualisht në pauzë, ashtu si të gjithë kampionatet në Evropë dhe botë, për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare, njofton Telegrafi.
Kjo do të thotë se fushat futbollistike janë të qeta për momentin, por gjithçka do të rikthehet më 29 dhe 31 mars, kur në program është xhiroja e 25-të e kampionatit.
Komisioni i Garave pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka vendosur të ndryshojë orarin e ndeshjeve të xhiros së 25-të në Ligën e Parë. Fillimisht të parashikuara për t’u zhvilluar më 30 mars, ndeshjet do të luhen një ditë më vonë, më 31 mars, me fillim nga ora 15:00. Ky ndryshim bëhet për shkak të festës së Fitër Bajramit.
Gjithashtu, në shenjë respekti për tragjedinë në Koçan, ku humbën jetën 59 persona, të gjitha ndeshjet do të nisin me një minutë heshtje për të nderuar viktimat. Po ashtu, Komisioni ka vendosur që ndeshjet e xhiros së 28-të, të planifikuara për më 20 prill, të luhen një ditë më herët, më 19 prill, për shkak të festës së Pashkëve.
Xhiron e 25-t do ta hapin Pelisteri dhe Vardari, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Manastir. Edhe kjo ndeshje është caktuar të luhet në orarin e mesditës, duke filluar nga ora 15:00.
Dyshet e javës së 25-t janë: Struga – Shkupi, Gostivari – Voska Sport, Shkëndija – AP Brera, Rabotniçki – Besa dhe Sileksi – Tikveshi. /Telegrafi/