Site icon Telegrafi

Fesi, plisi dhe shajkaqa

Nga: Daut Dauti

Nëse e shikoni fotografinë e parë më poshtë dhe nëse nuk e dini serbishten, do të konkludoni se njeriu që shihet në këtë foto është turk. Kështu do të mendonit për shkak të perceptimeve të gabueshme që krijohen në mungesë të njohurisë. Por, ky njeri nuk është turk. Është serb. Madje, mbishkrimi në foto thotë se ai është i veshur me rroba kombëtare serbe.

Nëse është ashtu, atëherë ku e ka pra shajkaqën?

Personit, gjegjësisht serbit në fjalë, i mungon shajkaqa për shkak se fotografia është e fillimit të shekullit XX, kurse shajkaqa është bërë pjesë e veshjes kombëtare serbe pas Luftës së Parë Botërore (1918). Shajkaqa ka ekzistuar edhe më herët, por historianët serbë thonë se kjo kapelë është bartur nga një numër i vogël i serbëve të rajonit të Shumadisë e disa tjerë thonë se është bartur diku në Vojvodinë. Meqë serbët nuk kishin veshje unike kombëtare, mbreti i tyre, Millan Obrenoviq, mori një iniciativë që serbi të dukej ashtu siç duket ndonjë fshatar i sotëm apo siç janë dukur në Kosovë ata të cilën pamje gjenerata ime dhe ato më të vjetrat e kanë parasysh. Por, iniciativa e mbretit serb shkoi ngadalë dhe serbët e zbatuan pas vdekjes së tij.

Serbi në foto ka kapelë që quhet ‘fes’. Të njëjtën kapelë e ka edhe Vuk Karaxhiqi (foto e dytë), i cili ka jetuar gati dy shekuj para këtij tipit në foto. Karaxhiqi ka qenë linguist dhe reformator i gjuhës serbe dhe si i tillë edhe kryenacionalist serb. Por, në kokë ka ‘fes’, të cilës kapelë naivët tanë i thonë kapuç i turqve. Nuk duhet harruar as faktin se Knez Milloshi, themeluesi i dinastisë së Obrenoviqëve, edhe kur u bë sundimtar i Serbisë nga koka nuk e hoqi fesin.

Në fotografinë e tretë është piktura e Vaso Pashë Shkodranit. Ai shihet me plis dhe pjesë të rrobave të poshtme kombëtare shqiptare. Por, kjo pasi që është pikturë e mëvonshme, është pamje e rrejshme për shkak se Vaso Pasha kurrë nuk është veshur në këtë mënyrë. Ai është veshur sikur në fotografinë e katërt ku shihet me fes në kokë dhe me një pallto me medalje në gjoks për arsye se ka qenë zyrtar i lartë otoman.

Në fotografinë e pestë, duke kalëruar, shihen Aleksandër Xhuvani dhe Luigj Gurakuqi. Me fes edhe këta dy e jo me plis. Kjo është për arsye se askush nga intelektualët dhe aristokratët shqiptarë, përfshirë të gjithë rilindësit, nuk kanë bartur plis e as ndonjë pjesë tjetër të rrobave kombëtare. Kjo nuk ka qenë dukuri vetëm në mesin e shqiptarëve, por kështu janë veshur të gjithë aristokratët dhe intelektualët serbë, grekë, boshnjakë, bullgarë dhe të tjerët që kanë jetuar nën sundimin otoman. Me këtë veshje elita e këtyre etnive, më vonë kombeve, janë identifikuar me kulturën zyrtare dhe superiore otomane. Dhe, kjo veshje nuk ka përfunduar me sundimin otoman. Njerëzit, kryesisht shtresa qytetare, kanë vazhduar të vishen në këtë mënyrë dekada pas largimit të otomanëve. Serbi që shihet me fes është fotografuar në Beograd gati tetë dekada pas largimit të pushtetit otoman.

Veshja kombëtare ka qenë për pjesën e gjerë të popullsisë, gjegjësisht për fshatarësinë pasi që popullsia rurale atëherë numerikisht ka dominuar ndaj asaj urbane. Por, te shqiptarët është një gjendje tjetër. Ata gjithmonë e kanë pasur veshjen e tyre kombëtare që nuk ka qenë i njëjti rast me popujt tjerë. Askush nuk e di se kur kanë filluar shqiptarët të bartin plis e fustanellë. Kur jemi te fustanella duhet të theksojnë që shqiptarët, më herët, edhe në veri e kanë bartë këtë veshje.

Deri kah fundi i shekullit XIX, në Ballkan ka qenë në modë të ishe shqiptar. Shqiptari ka qenë luftëtari, sunduesi dhe njeriu i armatosur që është veshur më së bukuri. Kjo ka qenë arsyeja që të tjerët e kanë imituar shqiptarin. P.sh. grekët që nuk kishin rroba të tyre tradicionale unike, i morën të gatshme nga shqiptarët.

Megjithatë, edhe tjerët kanë ndikuar të shqiptarët. Ta zëmë, në veri të Shqipërisë, sidomos në Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni, të gjithë bartnin tirq. Është vështirë të thuhet se cili prej këtyre popujve ka qenë i pari që ka veshur këtë lloj të pantallonave. Tirqit, më herët, pak a shumë në formë të ngjashme janë bartur që nga veriu i Shqipërisë e deri në Poloni.

Para disa javësh kur e postova lajmin, së bashku me pikturën ‘Shqiptari duke pirë duhan’, të piktorit Gérôme që kishte dalë në shitje, disa komentues shprehën komente të tyre naive. Madje, disa edhe irrituese për shkak se nuk ua merrte mendja që shqiptari ka pasë atë veshje dhe pamje që shihej në pikturë. Kjo është për shkak se një masë e madhe e njerëzve të sotshëm mendojnë që veshjet kombëtare të shqiptarëve kanë qenë sikur ato që sot i bartin anëtarët e Shoqërive Kulturo-Artistike që i shohin në koncerte e televizor. Jo! Veshjet që i shohim sot janë në masë të madhe të falsifikuara ose të imagjinuara. Ose janë të tilla për shkak se kanë ndryshuar me kalimin e kohës, kurse sot qepen sipas dëshirës së dizajnerit. Shqiptari dikur është veshur mu ashtu siç e paraqet Lear, Gérôme, Woodwille, Paja Jovanoviq dhe një mori piktorësh tjerë të shek. XVII, XVIII dhe XIX. Këta piktorë kanë qëndruar me brushë në dorë para shqiptarit dhe pamja e tyre është e vërtetë e jo imagjinare si kjo e Vaso Pashës me rroba kombëtare.

Kur jemi te plisi dhe fesi, duhet theksuar se i vetmi rilindës i cili nuk e ka bartur asnjërën është Hasan Prishtina. Fotografitë e tija janë të fillimit të shekullit XX dhe në Ballkan, por edhe në Evropë, në këtë kohë nuk ka qenë e zakonshme me dalë në publik kryeshplutë. Ndoshta për shkak se ai ka qenë pionier i modernizimit në të gjitha aspektet. /Telegrafi/

 

Exit mobile version