Në vitin 2007, Bryen Ferry (1945) jep një intervistë për “Welt am Sonntag”. Në atë intervistë, ai ndër të tjera thotë: “Mënyra se si nazistët e shfaqnin dhe paraqisnin veten, o Zot… e kam fjalën për filmat e Leni Riefenstahlit… ndërtesat e Albert Speerit dhe marshet masive me flamuj. Fantastike. Mitingje të bukura”!
Natyrisht, Ferry i takon një lëvizjeje muzikore që shquhej edhe për nga dukja. Ai e David Bowie kanë ndikuar te gjeneratat e ardhshme, jo veç me muzikë po edhe paraqitje ndryshe – ma estetike. Ndaj, përshkrimin e tij për “teatralitetin” nazist nuk e mohon askush. Ndërsa, realizimi i Riefenstahlit, “Triumph des Willens” (1935) – ndonëse film propagande – futet në të gjitha enciklopeditë e filmit si një prej realizimeve më të fuqishme kinematografike në histori. E, askush nuk e mohon as Speerin si arkitekt, veprat e tij e sidomos konceptin e “vlerës së rrënojave”.
Sidoqoftë, Ferry u heretizua. Ai kërkoi falje për keqkuptimet pa dashje, sepse komentet e tij ndërlidheshin veç me ikonografinë naziste – nga perspektiva e historisë së artit. Por, kot!
Në fakt, gjithçka ishte keqinterpretim i ditores “Daily Mirror” e cila i kërkon falje Ferryt. Në reagimin e tyre thuhet: “Më 16 prill raportuam për një intervistë që Bryan Ferry e dha për një gazetë gjermane. Artikulli ynë kishte titullin ‘Nazistët ishin të mahnitshëm’, ndërsa pretendohej se z. Ferry ‘u thurte lavde nazistëve’. Tash e dimë se nuk ishte e vërtetë. Në fakt, z. Ferry fliste për admirimin e tij nga pikëpamja artistike, për disa aspekte të artit gjerman, të arkitekturës dhe paraqitjes që nuk ndërlidheshin me regjimin nazist. Ai bile nuk e ka përmendur fare regjimin nazist”!
“Daily Mirror”, “Daily Mail” dhe “The Sun” janë themeluar si gazeta që u dedikohen shtresës së mesme, por ato lexohen më shumë nga shtresa e ultë që përpin lehtë gjithçka. Ato sot kanë tirazhet më të mëdha në Britani të Madhe. Edhe një dëshmi kjo se fjala e ka humbur vlerën e peshën. Ndaj, është mirë të kujtohet thënia e Pearl Strachan Hurdit, për fjalët: “Kontrollojini me kujdes, sepse ato kanë më shumë fuqi sesa bombat atomike”! /Telegrafi/