Telegrafi

Ferronikeli pajiset me Leje Mjedisore të Integruar

Kompanisë NewCo Ferronikeli sot në një ceremoni ju dorëzua zyrtarisht Leja Mjedisore e Integruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në këtë ceremoni Drejtori i Përgjithshëm i NewCo Ferronikelit, Ioannis Moutafis tha kjo leje ka rendësi të madhe për vet ndërmarrjen e po ashtu edhe Kosovën e në veçanti për Komunën e Drenasit.
“Me marrjen e kësaj leje mjedisore të integruar vendosen në detaje kushtet e operimit të një impianti të caktuar rreth shfrytëzimit të lëndëve të para, atyre ndihmëse dhe produkteve finale, pastaj menaxhimi në mënyrë të duhur dhe efikase me to, po ashtu vendosen vlerat limite (kufitare) për shkarkime në ajër, ujë, tokë, zhurmën, dhe menaxhimin e mbeturinave, si dhe afatet kohore se kur duhet të përmbushen ato vlera kufitare, si dhe programi i përmirësimit”, theksoi Moutafis.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi përgëzoi NewCo Ferronikelin për të gjitha të arriturat në vitet e fundit sa i përket mbrojtjes së mjedisit duke thënë se “Përgëzoj menaxhmentin e Newco Ferronikelit dhe të gjithë bashkëpunëtorët tjerë që me punë të përbashkët kemi arrit që ta bëjmë NewCo Ferronikelin një shembull të mirë në Ballkan”.

Ndërkaq Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, në këtë ceremoni tha se marrja e lejes mjedisore të integruar është e rëndësishme sa për NewCo Ferronikelin aq edhe për qytetarët e komunës së Drenasit.
“Jam i nderuar që po marr pjesë në këtë ceremoni, besoj se me një bashkëpunim të mirë që kemi pas të ndërsjellët tri palësh sot këtu së bashku në këtë ceremoni leja e integruar mjedisore është një konfirmim i asaj se menaxhmenti i NewCo Ferronikelit sigurisht se i ka plotësuar kushtet dhe sigurisht se Ministria MPH ka dhënë një vlerësim të tillë dhe ne ndihemi mirë si komunë”, theksoi Dermaku.

Gjithashtu në këtë manifestim foli edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu i cili tha se NewCo Ferronikeli në çdo aspekt është model për të gjitha kompanitë në Kosovë. /Telegrafi/