Arton Berisha, drejtor i klubit, i ka thënë KosovaPress-it se tashmë është arritur marrëveshja më katër futbollistë. Sipas tij, më ‘arsenalin’ e ri, Ferronikeli do të jetë krejt ndryshe në stinorin pranveror.
“Ne kemi arritur marrëveshje me Flamur Shalën, Qëndrim Sejdiun, Triumf Shabanin dhe portierin Dritero Dabiqajn. Më këto përforcime për ne është mbyllur afati kalimtar i janarit”, ka thënë Berisha.
“Mendoj se në skuadër kemi sjell përforcimet e qëlluara dhe jam i bindur se me lojtarët që kemi transferuar dhe fondin e lojtarëve që kemi në dispozicion, Ferronikeli do të jetë krejt ndryshe në pjesën e dytë të garave”, ka theksuar Berisha.
Sipas Berishës, nga skuadra mund të largohet Argjend Bardhi, i cili është në prova të Shkëndija e Tetovës.
I pari i klubit nga “Rexhep Rexhepi”, ka folur edhe për objektivat e skuadrës së tij. Berisha thotë se Ferronikeli synim primar do ta ketë ekzistencën në elitën e futbollit, por sipas tij, skuadra e Ramiz Krasniqit do t’ia bëjë hyzmetin edhe garës për Kupën e Kosovës.
“Skuadra nën drejtimin e Ramiz Krasniqit është duke mbajtur stërvitje dy herë në ditë. Është duke u punuar mjaft mirë dhe besoj se me kohë Ferronikeli do të jetë i gatshëm për sfidat pranverore. Synimi ynë kryesor është ekzistenca në Superligën e Kosovës, por krahas këtij qëllimi, ne do të luftojmë edhe në garat e Kupës së Kosovës. Mendoj se tashmë kemi një skuadër të denjë për të arritur qëllimet e klubit tonë”, ka pohuar Berisha, i cili ka shtuar se Ferronikeli edhe në stinorin pranveror ndeshjet si vendas do t’i luajë në “Bajram Aliu” të Skenderajt për shkak së stadiumi i Ferronikelit ende nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve kampionale dhe ato për Kupë. /KP/Telegrafi/