Skuadra e Ferronikelit ka kaluar në çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, pasi e ka mposhtur Trepçën, të premten, në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, me rezultat 1:0.
Golin e vetëm në këtë sfidë e realizoi Emir Rama, në minutën e 79-të, kur pasi iu shmang dy mbrojtësve me gjuajtje nga brendësia e zonës e mposhti Arben Beqirin. I njëjti futbollist pati mundësi për të dyfishuar shifrat në minutën e 84-t, kur gjuajti bukur me kokë, por portieri Beqiri ia mohoi golin. Do theksuar se Trepça e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak, pasi Kujtim Kutllovci u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 85-të, raporton RTK.
Trajneri i Trepçës, Emin Ajvazi pas ndeshjes e përgëzoi skuadrën nga Drenasi për fitoren, derisa epilogun e kësaj sfide e vlerësoi të drejtë. “Përgatitja fizike ishte përcaktuese. Ne kemi pasur tri mungesa të lojtarëve kyç, por mendoj se përgatitja më e mirë fizike e Ferronikelit ishte vendimtare. Mendova se në pjesën e parë do ta vendosnim ndeshjen, por Ferronikeli na mposhti me meritë. Ne edhe ashtu nuk jemi në gjendje për të luftuar në dy fronte në këtë edicion. Trepça është klub me nam dhe besoj se në pranverë do të vijmë në atë nivelin që e meriton kjo skuadër”, ka theksuar Ajvazi.
Ndërkaq, timonieri i Ferronikelit, Ramiz Krasniqi, është shprehur i lumtur për kualifikimin dhe ka shprehur shpresën se në pranverë skuadra e tij do të jetë shumë më cilësore. “Prej që e kam marr drejtimin e skuadrës problemi kryesor ka qenë finalizimi i aksioneve. Megjithatë, në këtë sfidë e kemi pasur një përparësi, pasi nuk kemi luajtur me ngarkesë. Lojtarët treguan disiplinë dhe përkushtim dhe kjo në fund u konkretizua me golin e kualifikimit. Më gëzon fakti që e kemi qarkulluar topin dhe e kemi pasur lojën në kontroll gjatë tërë ndeshjes. Në pranverë sigurisht se do të shihni një Ferronikel krejtësisht tjetër, pasi në këtë stinor e kemi pasur një fond shumë të limituar të futbollistëve”, ka theksuar Krasniqi.
Ndërkohë, kalimin në çerekfinale e siguroi edhe Gjilani, që arriti ta mposhtë Ulpianën, me rezultat 2:1. /Telegrafi/