“Ishte një lojë e vështirë, ngase Ferronikeli ka individë të dalluar. Në tri ndeshjet e fundit ne i kemi arritur nëntë pikë, kurse në xhirot e ardhshme do ta kemi më vështirë, sepse do të kemi mungesa shkaku i kartonëve“, tha trajneri i Dritës, Arbnor Morina, për të cilin kjo ishte ndeshja e parë si vendas qëkur rimori timonin e ekipit gjilanas.
Goli i parë i vendasve erdhi në minutën 21’, kur një top të dëbuar nga largësia mbi 30 metra furishëm e ka goditur Syla dhe ka qëlluar vendin ku puthen tërthorësja dhe pingulja. Pasi ishin zhvilluar gjysmë ore, Xhevdet Shabani ka shpërthyer vetë dhe ka qëlluar nga largësia e topi u përplas në tërthorëse.
Në pjesën e dytë kanë qenë të parët mysafirët që kanë shënuar. Pas një gjuajtje nga këndi, portieri i ri Huruglica nuk ishte edhe aq i sigurt dhe këtë e shfrytëzoi Rama, që nga afërsia ka futur topin në rrjetë. Barazimi i mysafirëve ka zgjatur vetëm 10 minuta ngase në minutën 6’ Shabani ka shpërthyer nga e djathta dhe me gjuajtje precize e ka fërfëlluar topin në rrjetë.
“Nuk kam koment për ndarjen e drejtësisë. Realisht loja qe e hapur nga të dy palët, por Drita i shfrytëzoi rastet që i pati. U munduam, patëm raste, por nuk u gjetëm si duhet në momentet kyçe“, tha trajneri i Ferronikelit, Ramiz Krasniqi. Deri në fund të ndeshjes ka pasur raste nga të dy anët, por sulmuesit nuk ia dolën të shënojnë. /Zëri/Telegrafi/