Telegrafi

Ferronikeli çanta e material shkollor për 300 nxënës

Me rastin e fillimit të vitit shkollor, Ndërmarrja NewCoFerronikeli në Drenas, dhuroi 300 çanta me material shkollor për fëmijët jetim dhe ata me kushte të rënda ekonomike. Fëmijët i përkasin shkollave fillore të rajonit të Drenasit dhe më gjerë që nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë.

Shpërndarja e çantave është bërë përmes shoqatës Islamic Relief – Qendra në Drenas, ndërkaq me këtë rast drejtori i kësaj qendre Vehbi Zeqiri, falënderoi Ferronikelin për përkrahjen e vazhdueshme në aktivitetet humanitare të shoqatës.

“Urime për këtë vit të ri akademik. Pasi keni marrë pajisjet juve nuk ju mbetet tjetër përpos të tregoni rezultate në mësim, sepse ato janë motiv për ne që të ju ndihmojmë aty ku ju keni nevojë”, theksoi Zeqiri duke shtuar se përmes edukimit zhvillohen edhe fushat e tjera.

Ndërsa Drejtori i përgjithshëm i Ferronikelit, Ioannis Moutafis, ka uruar nxënësit për fillimin e vitit shkollor duke u dëshiruar një vit të mbarë me plot suksese në mësim.

“Jam i lumtur që jam në mesin tuaj edhe këtë vit me rastin e fillimit te vitit shkollor. Investimi në edukim të gjeneratave të reja është puna më e mirë qe mund të bëjmë, ngase ju jeni e ardhmja e këtij vendi”, tha Moutafis ndër të tjera!

Ndryshe Ferronkeli që nga viti 2006 i ka mbështetur nxënësit me pajisje shkollore për një fillim sa ma të mbarë të vitit akademik. NewCo Ferronikeli është pjesë e rrjetit për përgjegjësi korporatave shoqërore (CSR) që nga themelimi i saj. /Telegrafi/