Telegrafi

Feronikeli pa problem ndaj Hajvalisë

Kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli ka shënuar fitore pa problem ndaj Hajvalisë 6-1.

Vendasit kaluan në epërsi vetëm pas 17 minutave lojë.

Ishte sulmuesi këmbëshpejtë, Mendurim Hoti që shfrytëzoi një gabim të mbrojtësve mysafir duke shënuar për 1-0.

Vetëm tre minuta më vonë, kampionët ngritën epërsinë në 2-0.

Përforcimi i janarit, Yll Hoxha shënoi një gol të bukur nga një distancë prej 25 metrave.

Kur skuadrat po bëheshin gati për të shkuar në pushim, Mark Milicaj shënoi nga gjuajtja e lirë për 3-0.

Mysafirët e nisën më mirë pjesën e dytë duke ngushtuar epërsinë.

Talenti Edison Kçiku realizoi nga penalltia për ta ngushtuar epërsinë në 3-1.

I inkuadruari në pjesën e dytë, sulmuesi afrikan Abu Kamara shënoi golin e katërt në ndeshje në minutën e 67-të.

Përsëri pas tre minutave lojë, Nikli shënoi edhe një gol kësaj radhe nëpërmjet Mark Milicajt për 5-1.

Golin e fundit në ndeshje e shënoi kapiteni Fidan Gërbeshi nga penalltia.

Pas kësaj fitore, skuadra e Afrim Tovërlanit mbetet në pozitën e dytë me 48 pikë të tubuara. /Telegrafi/