Skuadra nga Drenasi ka treguar performancë mjaft të mirë në duel me kryeqytetasit duke arkëtuar tri pikë tejet të rëndësishme në garën për mbijetesë në elitën e futbollit të vendit tonë.
Futbollistët e Feronikelit kanë dominuar në terren duke rrezikuar me shpesh portën prishtinase. Ishte Elhami Berisha (44’), i cili me golin e tij solli në avantazh ekipin e Feronikelit prej 1-0.
Loja e mirë e skuadrës nga Drenasi ka vazhduar edhe në pjesën e dytë, derisa Prishtina assesi nuk ia doli që të gjejë lojën e vet, sepse sulmet e tyre ishin shumë të pakta, madje me lojën që treguan bardhekaltërit në këtë takim nuk arsyetuan pozitën të cilën e mbajnë në kreun e tabelës.
Fatih Karahoda (66’) shënoi golin e dytë për Feronikelin duke i dhënë goditjen e fundit Prishtinës në këtë sfidë të rëndësishme për të dy skuadrat.
Ndërkohë, fitore ka shënuar edhe Besa e Pejës që në “Shani Haxhiislami” mundi Drenicën me rezultat 1-0, raporton Kosovapress.
Rezultatet e javës së 21-të:
Besa-Drenica 1-0
Feronikeli-Prishtina 2-0
Nesër takohen:
Trepça 89-Drita
Llamkos Kosova-Trepça
Hysi – Liria
Hajvalia-Vëllaznimi
/Telegrafi/