Feronikeli ka luajtur si mysafir i Ferizajt në ndeshjen e javës së 24 të Vala-SuperLigës së Kosovës në futboll duke regjistruar fitore prej 4-0.
Pas humbjes nga Drenica në xhiron e kaluar, kampioni në fuqi e nisi ndeshjen me nëntë pikë prapa liderit Trepça ‘89.
Mirëpo, mysafirët e harruan atë humbje dhe regjistruan fitore në stadiumin e ri në Ferizaj me bar sintetik.
Pjesa e parë nuk prodhoi gola, ndërsa rezultati u zhbllokua në minutën e 66-të me një goditje të Labinot Osmanit nga largësia.
Pas një aksioni të mirë të vizitorëve u realizua edhe goli i dytë. Një asistim të bukur të Milicajt e konvertoi në gol Mentor Zhdrella (78’).
Pa përfunduar ndeshja u realizuan edhe dy gola, me golashënues Blerand Kurtishaj (89’) dhe Labinot Osmani (90’+4).
Me këtë fitore, Feronikeli i afrohet Trepçës ’89 në gjashtë pikë, por lideri akoma nuk e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj jave.
Ndërsa Ferizaj mbetet në vend të nëntë me pikë të barabarta me Dritën që është një pozitë më poshtë. /Telegrafi/