Telegrafi

Feronikeli fiton ndaj Lincolnit dhe bën një hap të madh në raundin parakualifikues në LK

Feronikeli (Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova)

Feronikeli ka regjistruar fitore prej 1-0 kundër Lincoln Red Imps FC në ndeshjen gjysmëfinale në kuadër të raundit preliminar në Ligën e Kampionëve.

Kampioni i Kosovës të martën mbrëma doli triumfues në stadiumin “Fadil Vokrri” duke bërë një hap të madh drejt arritjes në fazën kualifikuese në garën më të madhe evropiane për klube.

(Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova)

Me një solo aksion, Mendurim Hoti e zhbllokoi rezultatin që në minutën e tretë duke shënuar një gol të bukur.

Gjatë fraksionit të parë, nikoqirët luajtën shumë më mirë, mirëpo në gjysmën e dytë ra tempi i lojës. Sidoqoftë, rezultati nuk u ndryshua dhe Feronikeli fitoi falë golit të realizuar në pjesën e parë.

(Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova)

Me këtë triumf, kampioni i Superligës siguron pjesëmarrjen në finalen parakualifikuese, të cilën do ta zhvillojë pas tri ditësh kundër FC Santa Coloma.

Klubi nga Andorra më herët gjatë të martës, po në “Fadil Vokrri”, arriti fitore me rezultat të njëjtë (1-0) kundër Tre Penne Galazzano duke u kualifikuar tutje.

Skuadra që e fiton përballjen e 28 qershorit do të kualifikohet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/