Telegrafi

Feronikeli beson

Feronikeli fillimisht çaloi në start të sezonit pranveror, por fitorja e fundit ndaj Vushtrrisë e ka kthyer atë në vendin e parë të Superligës.

Mirëpo, ekipi i Afrim Tovërlanit ka pikë të njëjta me Hajvalinë (nga 38), por po ndiqet fort edhe nga Gjilani e Llapi që kanë nga dy-tri pikë më pak. Tovërlani e pranon se skuadra e tij po e ndien presionin e ndjekësve të saj, por vazhdon të besojë se në fund me djelmoshat e tij do të festojë.

“Gjashtë ekipet e para janë në garë për titull. Të gjithë i kemi konkurrentë të fortë”, thotë Tovërlani për “Zërin”.

“Nga dita e parë kur kam ardhur në Feronikel kam besuar se ne do ta fitojmë titullin. Këtë besim e kam edhe sot dhe do ta kem deri në fund. Përkundër disa largimeve dhe lëndimeve, siç ishin Maliqi e Zhdrella, besimi nuk më është zbehur në asnjë moment”, u shpreh ai.

Duke e marrë parasysh sistemin garues dhe kualitetin e kundërshtarëve, Tovërlani thotë se ekipi i tij mund të zbresë sërish nga vendi i parë, por vetëm përkohësisht.

“Për mua nuk ka rëndësi kjo. E rëndësishme për mua është që Feronikeli kampionatin ta mbyllë në vendin e parë dhe vazhdojë të besoj se kjo do të ndodhë”, përfundoi ai.