Ish-reperi i njohur, Fero, nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të fituar kujdestarinë e vajzës së tij, një çështje që prej kohësh ka shkaktuar mosmarrëveshje të thella mes tij dhe ish-partneres, modeles Arbenita Ismajli.
I pakënaqur me ecurinë e procesit gjyqësor deri më tani, Fero ka vendosur të ndërmarrë një hap të ri në këtë betejë ligjore. Ai ka zyrtarizuar angazhimin e një avokateje të re, Bedrie Rexhepi, e cila tashmë do ta përfaqësojë në këtë çështje delikate.
Përmes një postimi në Instagram, reperi ka ndarë një mesazh të qartë dhe emocional, duke i drejtuar disa fjalë vajzës së tij: “Nina, do shihemi së shpejti”.
Vajza e tij aktualisht jeton jashtë vendit, nën kujdestarinë e Arbenitës, dhe ky proces ligjor mund të përcaktojë të ardhmen e raportit të tij me të voglën.
Kujtojmë se më herët, Fero kishte ngjallur debat në rrjetet sociale duke publikuar imazhe të Arbenitës me vajzën e tyre, të shoqëruara nga një mashkull tjetër. Në ato postime, ai kishte shprehur hapur pakënaqësinë e tij mbi mënyrën se si po rritet vajza.
Kjo përplasje vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet procesi ligjor dhe nëse Fero do të arrijë ta fitojë këtë betejë për kujdestarinë e vajzës së tij. /Telegrafi/