Telegrafi

Fernando Santos pas eliminimit: Jemi të shkatërruar, mund të shkonim në finale

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos ka thënë se ndihet të shkatërruar pas humbjes nga Maroku dhe eliminimit në çerekfinale të Kupës së Botës “Katar 2022”.

Përfaqësuesja e Marokut ka fituar me rezultat 1-0 ndaj Portugalisë në ndeshjen çerekfinale dhe ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e madhe të garës.

Kjo humbje ka lënë shije të hidhur te portugezët, duke filluar nga trajneri e te secili lojtarë, pasi objektivat dhe pritjet ishin të mëdha për iberikët.

Pas ndeshjes, trajneri Santos ka treguar se ndihen të gjithë të shkatërruar pasi pritnin t’i gëzonin popullin e tyre portugez me kalimin në finale dhe fitimin e trofeut.

“Zhveshtorja ishte me të vërtetë pa disponim, me kokat poshtë. Jemi të shkatërruar”, ka thënë fillimisht Santos pas ndeshjes.

“Isha i sigurt se me punën dhe cilësinë e lojtarëve mund t’i kishim dhënë popullit portugez pak gëzim – se mund të kishim shkuar në finale dhe ta fitonim atë”.

“Kjo është pse unë dhe të gjithë të tjerët jemi të shkatërruar”, përfundoi trajneri portugez. /Telegrafi/