Goji berry është emri i frutit që fermeri nga Strellci i Deçanit, Xhemaj Bajrami, ka filluar ta kultivoi tash e katër vite, mirëpo për të është e vështirë gjetja e tregut për shitjen e tij. E derisa institucionet lokale thonë se do ta ndihmojnë për promovim dhe sigurim të tregut, Bajrami si mënyrë të vetme deri më tani për ta shitur këtë produkt e ka tregun e zi.
Bajrami ka treguar se farat për kultivimin e këtij fruti i ka marrë në Kinë, ku edhe e ka origjinën. Ai ka të mbjellë rreth 30 ari dhe ka më shumë se 400 fidanë me goji berry. Fermeri Bajramai thotë se arsye pse ka vendosur ta kultivojë këtë frutë është për shkak të vetive shumë të mira që i posedon.
Sipas tij, ky frutë që në Kosovë nuk është shumë i njohur, në botë cilësohet si një bimë që ndikon në forcimin e imunitetit. Po ashtu, ai thotë se kjo bimë është e pasur me veti të shumta ushqyese si me vitamina dhe minerale të shumta për të cilat organizimi i njeriut ka shumë nevojë.
“Ky frutë quhet Goji berry, origjinën e ka nga Tibeti i Kinës. Këtë e kam kultivuar, farat i kam porositur atje më kanë ardhur dhe i kam mbjellë vetë farat. I kam të mbjella diku afër 30 ari dhe mund të them se janë diku rreth 400 fidanë, distancën e mbjelljes e ka 3 me 3, do të thotë reni prej rendi tri dhe fidani prej fidani 3 metra, kjo është mbjellja më adekuate e saj. Kjo rritet si shkurre, por mundesh me e qitë edhe në varg sikurse rrushin, mirëpo gjithqysh e donë një shtyllë me e majtë pak deri sa të merr vetën. Me u rritë, rritet me lan shumë, por nuk trashet shumë”, tha ai.
Bajrami thotë se ky frutë është i pasur me vitamina A dhe C, hekur, zink, fibër, antioksidant, amino acvide, beta-caroten, anti-inflamantor, anti-bacterial.
Për më tepër ai thotë se ky frutë ka edhe benefite të tjera për shëndetin e njeriut, siç është ajo që ndihmon në humbjen e peshës së tepërt, zvogëlon sheqerin në gjak, rregullon tensionin e gjakut, ulë rrezikun e infarktit në zemër, lufton kancerin, ndihmon në largimin e stresit, rigjeneron qelizat e lëkurës, ndihmon në rregullimin e gjumit, rrit hormonin e testosteronit tek meshkujt.
“Ka veti shëruese shumë për tensionin, për sheqerin, për mbipeshën, antioksidantë shumë i fortë, imunitetin ta ngritë, ka shumë veti. Mirëpo, këtu pak a shumë është jo e mirë që nuk ka treg të mirë për të dhe nuk e njohin njerëzit, pasi që është si e re e arritur. Por, ai që e njeh ai e merr menjëherë nuk heziton”, është shprehur ai.
Deri më sot ky fermer që po e kultivon një frut të ri nuk ka marrë ndonjë ndihmë, as nga Komuna e Deçanit dhe as nga Ministria e Bujqësisë, madje ai thotë se këto dy institucione nuk e parashohin ndonjë subvencion për këtë lloj kulture bujqësore.
Këtë frut qytetarët mund ta gjejnë ndonjë herë në treg të zi, aty ku fermeri detyrohet ta qes për ta shitur, por Bajrami thotë se është edhe një numër i qytetarëve që kanë njohuri për vetit e tij dhe shkojnë e marrin në shtëpinë e tij.
“Në treg vështirë, në treg të zi po i shes me kilogram, kilogrami shkon deri në 6 euro, 7 euro kur është e njomë, kurse e terur shkon deri në 30 euro. Pasi që duhet me e llogaritë sa kilogram të njoma e bëjnë një kilogram të terura, kështu që 6 deri në 7 kilogram shkojnë për një kilogram”, ka treguar ai.
Për kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, sigurimi i tregut për këtë frut është i vështirë, pasi sipas tij, është një produkt që nuk është shumë i njohur.
Megjithatë, ai për KosovaPress ka thënë se do të përkrahë këtë fermer edhe në promovim, por edhe duke i siguruar tregun e shitjes.
“Është pak e vështirë me sigurua tregun në Deçan, pasi që është një prej produkteve më të panjohshme. Njerëzit kur e shohin në gjendje natyrale mendojnë që është lloj speci, mendojnë që është më djegës, më pikante. Mirëpo, që është njëra prej bimëve që kish cilësi edhe mjekuese, e ka një fushë eksperimentale që po besoj që ka me u rrit dhe si komunë, e unë si kryetar jemi në përkrahje të tij që edhe me e promovuar si kulturë që bëhet në Deçan, brenda mundësive duke e promovuar edhe me ia sigurua tregun”, tha ai.
Derisa fermerit Xhemajl Bajrami t’i sigurohet tregu për të shitur këtë frut të rrallë në Kosovë, ai thotë se do të vazhdojë që të marrë pjesë në panaire të ndryshme për ta promovuar. /KP/Telegrafi/