Në Komunën e Kamenicës zhvillimi bujqësor po konsiderohet si mundësi primare edhe për zhvillim ekonomik. Fermerët e kësaj ane po kërkojnë më shumë mbështetje institucionale për zhvillimin e bujqësisë, sidomos në këtë periudhë kur po shtohen nevojat për prodhime vendore.
Varësisht prej pozitës gjeografike, fermerë të Komunës së Kamenicës po përkushtohen që ta zhvillojnë bujqësinë, si në perimekulturë, ashtu edhe në ngritjen e pemishteve.
“Kërkesat mund të plotësohen, ka mundësi të jenë edhe të tepërta. Deri tani shitja ka qenë e mirë, por qe një javë pak kemi ngec në shitje”, tha fermeri Beqir Shabani.
“Në qoftë se ia bën skuqjen e domates së detyrueshme ose i hedh shumë pesticide, ti ja shet një fëmije ajo është shumë e dëmshme dhe për atë e quaj krim”, tha fermeri Ermal Shabani.
“Diçka çka është shumë e rëndësishme, të gjitha prodhimet që bëhen këtu në vendin tonë, në vendlindjen time, por në përgjithësi në malësi – janë prodhime të shëndetshme dhe e dimë çfarë prodhimesh konsumojmë”, tha pemëtari Faik Avdyli.
Zyrtarë të Drejtorisë së Bujqësisë në Kamenicë thonë se janë të përkushtuar që ta mbështesin sektorin e bujqësisë, nga i cili priten përfitime të mëdha.
“Një fermer përfiton po e zëmë e mandej angazhon kryesisht anëtarët e familjes, e cila mund të siguron për atë familje për tre apo katër anëtarë një pagë kështu ta themi për secilin anëtar. Eshtë një sektor që krijon ndoshta më së lehti dhe më së shpejti të ardhura për në familje dhe për një ekonomi bujqësore”, tha drejtori për Bujqësi në Kamenicë, Shpend Morina.
Shfrytëzimi i mjediseve ekologjike për produkte vendore bën që interesimi të jetë i shtuar nga fermerët, ndërsa mbështetja institucionale mbetet inkurajim për zhvillimin e bujqësisë në këtë rajon./RTK/