Site icon Telegrafi

Fermerët protestues të Francës “rrethojnë Parisin” me barrikada – në pritje të ndihmës nga qeveria

Fermerët po bllokojnë tetë autostrada që të çojnë në Paris dhe disa qindra prej tyre po ngasin traktorët e tyre drejt tregut ushqimor të kryeqytetit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, fermerët protestues rrethuan Parisin me barrikada të trafikut të hënën, duke përdorur qindra traktorë dhe grumbuj sanë për të bllokuar autostradat që të çojnë në kryeqytetin francez.

Këto veprime po bëhen në një përpjekje për t’i bërë presion qeverisë për të ardhmen e industrisë së tyre, e cila është tronditur nga pasojat e luftës në Ukrainë.

Fermerët kanë arritur të shmangin përpjekjet e policisë për t’i ndaluar, pasi qëllimi i tyre i deklaruar është të bllokojnë hyrjen në tregun e ushqimit Rungis, më i madhi në Evropë, rreth pesëmbëdhjetë kilometra larg Parisit.

Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, i cili ka mobilizuar 15,000 policë në përgjigje të protestave, ka paralajmëruar që nga fundjava se nuk do të lejojë që kjo të ndodhë.

Megjithatë, Darmanin i ka kërkuar policisë që të mos ndërhyjë në të ashtuquajturat bllokada të ‘rrethimit’ të Parisit apo pjesës tjetër të vendit – ku ka disa dhjetëra – nëse nuk ka kërcënim për pronën apo njerëzit.

Protestuesit thanë se përpjekjet e qeverisë për masa pro-bujqësore javën e kaluar dështuan në kërkesat e tyre që prodhimi i ushqimit të bëhet më fitimprurës, më i lehtë dhe më i drejtë. /Telegrafi/

Exit mobile version