Punëtorët e bujqësisë thonë se politikat e gjelbra dhe taksat po “ua hanë” fitimet e tyre dhe po kërkojnë më shumë subvencione nga qeveria.
Kështu, protestat e fermerëve kanë shpërthyer në Rumani, Gjermani dhe Francë, përpara zgjedhjeve të BE-së në qershor, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndërsa kërkesat e tyre ndryshojnë në përgjithësi, ata pretendojnë se po marrin goditjen më të rëndë nga reformat mjedisore dhe se kanë nevojë për më shumë subvencione nga qeveria për t’i kompensuar ato.
Rumania
Në Rumani, fermerët dhe kamionistët kanë bllokuar rrugët kryesore me traktorët dhe kamionët e tyre për një javë e gjysmë tashmë.
Ata po kërkojnë taksa më të ulëta dhe subvencione më të drejta, por deri më tani bisedimet me qeverinë kanë dështuar dhe ata po vazhdojnë të protestojnë.
Ata janë gjithashtu të zemëruar për koston në rritje të sigurimit për makineritë e rënda.
Gjermania
Në Berlin të shtunën, fermerët u bashkuan krah për krah me eko-aktivistët.
Fermerët thonë se janë plotësisht në mbështetje të bujqësisë miqësore me mjedisin, të pamodifikuar gjenetikisht, por për këtë, ata kanë nevojë për subvencione ose, të paktën, çmime të drejta të vendosura për produktet e tyre.
Por ata thonë se qeveria ka hezituar të zbatojë masa të tilla pavarësisht se ia dorëzoi kërkesat e tyre ministrit të bujqësisë Cem Özdemir.
Fermerët kanë dalë në rrugë që nga dhjetori, kur qeveria federale ra dakord për një buxhet që anulonte subvencionet dhe përfitimet bujqësore disa dekadashe.
Këto mund t’i kishin kursyer fermerëve mbi 480 milionë euro. Më vonë, Berlini vendosi të zbusë planet, duke i bërë shkurtimet e përfitimeve graduale.
Franca
Në Francën jugore, protestat masive gjatë ditëve të fundit kanë detyruar qeverinë të adresojë çështjet e fermerëve.
Kryeministri Gabriel Attal do të takohet të hënën me presidentin e Federatës Kombëtare të Sindikatave të Operatorëve Bujqësor ose FNSEA.
Më parë, fermerët u zotuan të bllokojnë disa autostrada derisa Attal të dëgjojë kërkesat e tyre.
FNSEA ka thënë se do të vendosë javën e ardhshme nëse ata do të bëjnë thirrje për veprim mbarëkombëtar.
Fermerët thonë se politikat e eko-tranzicionit të autoriteteve i bëjnë prodhuesit kombëtarë jo konkurrues.
Sipas tyre, jo vetëm që i bën fermat joprofitabile, por e detyron Francën të blejë produkte ushqimore nga vendet ku standardet mjedisore janë më të dobëta, siç pretendojnë ata. /Telegrafi/