Telegrafi

Fermerët këshillohen për trendet e reja në bujqësi

Lulzim Buqa, menaxheri rajonal në KEP-Trust, ka thënë se trajnimet për fermerë, krahas komunës së Vitisë janë duke u zhvilluar edhe në komunat Kamenicë, Ferizaj e Gjilan dhe vërehet një interesim i kënaqshëm i fermerëve për të ndjekur këto trajnime që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e prodhimtarisë në bujqësi dhe blegtori.

“Në trajnimet e zhvilluara në këto katër komuna kanë marrë pjesë mbi 200 fermerë, të cilët merren me kultivimin e drithërave të bardha, perimeve dhe pemëve, si dhe blegtorë”, ka thënë Buqa për Kohën Ditore.

Ai ka theksuar se kjo praktikë do të vazhdohet edhe në të ardhmen, pasi bujqësia dhe blegtoria janë sektorë të rëndësishëm të zhvillimit të ekonomisë kosovare.

Xhymshit Hasani, fermer nga Budrika e Vitisë, ka thënë se përmes këtyre programeve dhe këshillimeve ndihmohet shumë zhvillimi i bujqësisë, pasi këto këshilla ndikojnë që fermerët të rrisin rendimentet në sipërfaqet ekzistuese, si dhe në ngritjen e sipërfaqeve të reja të mbjella.

“Besoj se këto informata do të më hyjnë në punë dhe do të ndikojnë në përmirësimin e rendimenteve në sipërfaqet e mbjella me perime, me të cilën veprimtari edhe merrem”, është shprehur Hasani.

Ndërsa Banush Zeqiri, nga Radivojci ka theksuar se mbështetja që i jepet bujqësisë përmes këshillimeve profesionale dhe asistencës financiare ndikon që kjo veprimtari ekonomike të zhvillohet edhe më shumë.

“Kam pasur njohuri për bujqësinë e perim-kulturën, por këshillat e ofruara nga ekspertët më ndihmojnë shumë që të jem në trend me zhvillimet dhe nevojat e tregut, për çka edhe angazhohemi”,është shprehur Zeqiri. (koha)