Fermerët të cilët e ushtrojnë veprimtarinë e vet në Kosovë kanë kërkuar veprime konkrete institucionale për të mbrojtur dhe promovuar industrinë vendore të qumështit.
Por një kampanjë e cila mund të fuqizojë industrinë vendore të qumështi është fushata për promovimin e djathërave të cilat prodhohen nga qumështi i freskët. Kjo formë e promovimit të djathërave nga qumështi i freskët ka për qëllim lehtësimin e blerjes së produkteve nga konsumatorët, si dhe do ta përkrah industrinë vendorë të qumështit. Kampanja për promovimin e djathërave nga qumështi i freskët organizohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe mbështet nga USAID-i. Fushata vlerësohet se do ta rrisë vetëdijen e konsumatorëve që të mos blejnë produkte të cilat nuk janë nga qumështi e në treg shiten si produkte të qumështit.
Por fermerët kanë thënë se këto kampanja kanë efekte të përkohshme.
Kryetari i Shoqatës së Fermerëve, Besim Kuqi, ka thënë se fermerët e mirëpresin kampanjën e paralajmëruar, por është shprehur i pakënaqur me ata që po e organizojnë.
“Në parim ne përkrahim çdo masë që dallon produktet cilësore të qumështit nga produktet me përbërje të dyshimtë, por ne pyesim pse organet përgjegjëse nuk i ndalojnë krejtësisht produktet me përmbajtje joqumështore?, e që e quajnë veten djathë, por duhet të bëjnë kampanjë promovuese për djathin me 100% qumësht. Dihet që djathi duhet të bëhet nga qumështi. Organet kompetente bëjnë mirë që të dalin në terren dhe të ndalojnë produktet me përmbajtje të rrezikshme e që shiten si produkte qumështi. Fundi i fundit kampanjat kanë efekt vetëm të përkohshëm”, ka thënë Kuqi.
Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kanë thënë se këtë vit do ta mbështesin industrinë e qumështit vendor së bashku me USAID-in duke promovuar prodhimin e djathërave nga qumështi i freskët.
“Përpos mbështetjes së vazhdueshme në ngritjen e cilësisë së prodhimeve vendore të qumështit dhe kapaciteteve të resurseve humane të industrisë përpunuese është duke u mbështetur edhe fuqizimi i marketingut të prodhimeve vendore të qumështit me qëllim të ngritjes së konkurrentshmërisë së prodhimit vendor të djathërave ndaj importit”, ka thënë Arsim Memaj, Shef i Prodhimtarisë Blegtorale në Ministrinë e Bujqësisë.
Sipas tij, janë bërë të gjitha përgatitjet teknike për fillimin e fushatës promovuese për djathërat e prodhuara nga qumështi i freskët, ku do të jepen informacione për konsumatorët rreth cilësisë dhe sigurisë së djathërave vendor.
E, Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori”, e mirëpret një fushatë promovuese e cila do të ndikojë që konsumatorët të mos mashtrohen kur blejnë produkte.
Ai ka thënë se promovimi i djathërave nga qumështi i freskët mbron konsumatorët nga produktet e importit dhe nga konkurrenca jo e drejtë.
“Natyrisht se kampanja e promovimit të djathërave ia lehtëson zgjidhjet e djathërave, orientimin e drejt të shijes që ndikon në marrjen e vendimit për blerje. Po ashtu ndikon edhe në kënaqëshmërinë e konsumatorëve. Lehtësimin e vendimit për blerje, ndikon edhe niveli i informimit, arsimimit, edukimit e vetëdijesimit të qytetarit konsumator”, ka thënë Selatin Kaçaniku, nga organizata “Konsumatori”.
Ai ka kërkuar që produktet e djathërave 100 për qind nga qumështi të jenë të ndara në markete nga produktet e tjera.
Kurse kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Milazim Berisha, e ka vlerësuar si tepër të rëndësishme fushatën për promovimin e djathërave nga qumështi i freskët.
“Promovimi i produkteve vendore të qumështit në çdo kohë, është më se e nevojshme, por jo vetëm për djathin. Përmes këtyre kampanjave do të mundësohej që të rritet besueshmëria e konsumatorit për produktet e qumështit, në këtë rast të djathit”, tha ai.
Berisha ka thënë se si shoqatë janë të interesuar që të organizohen edhe kampanja promovuese edhe për produktet e tjera.
“Ne jemi të interesuar që të bëhet kampanjë edhe për të gjitha produktet tjera dhe nënproduktet e qumështit dhe po ashtu të njëjtat të pajisen me vulë të origjinës e cila kishte dëshmuar dhe garantuar, mbi përmbajtjen që ka produkti, kjo do të kontribuonte edhe në rritjen e besueshmërisë ndaj konsumatorit dhe ngushtimit të hapësirës për keqpërdoruesit e mundshëm”, ka thënë kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Milazim Berisha.
Ndryshe sot me moton “Shijo djathin e vërtetë, 100% nga qumështi” do të lansohet fushata promovuese e djathit 100% nga qumështi me qëllim informimin e qytetarëve të Kosovës për rëndësinë dhe dobitë e konsumimit të djathit të natyral nga qumështi. /Telegrafi/