Site icon Telegrafi

Fermerët e Shkrelit: Legalizojeni kërpin, se s’është drogë (Video)

Pas iniciativës së deputetit të Malësisë së Madhe, Paulin Stërkaj, për të ndryshuar Kodin Penal në lidhje me kultivimin e kërpit industrial reaguan fermerët e Shkrelit.

10 vite më parë ata kultivuan kërpin, por u akuzuan se po mbillnin hashash. Agronomi Martin Pëllumbi tregon se fermerët nisën kultivimin pas një kërkese nga Anglia, por për vite të tëra ngelën nëpër gjyqe.

“Kjo histori ka nisur që në vitin 2002 dhe deri në 2013-n mbi 100 fermerë kanë shkuar në dyert e prokurorive, ku na kanë akuzuar si organizatë kriminale”, deklaron Pëllumbi.

Sipas specialistit, kërpi industrial nuk mund të përdoret si kanabis, pasi i ka veçoritë e tij të përdorimit tek fijet speciale sintetike, që mund të shërbejnë edhe për qëllime farmaceutike.

“Kërpi industrial është lejuar me ligj, por ligji shqiptar për bimët narkotike është më i çuditshmi në botë. Klasifikohen si bimë narkotike ato që kalojnë 0.01 për qind të THC-së, gjë që e kalon çdo bimë e florës shqiptare e kultivuar. Kërpi me këtë ligj nuk mund të kultivohet”, thotë Pëllumbi.

Lejimi i kultivimit të kërpit do ishte me mjaft fitim për gjithë zonën e Malësisë së Madhe, “pasi ka terrenin më të mirë në rajon për këtë bimë industriale”, shprehet kreu i fermerëve. /Top Channel/

Exit mobile version