Site icon Telegrafi

Fermerët e Anamoravës humbin qindra tonë miell e krunde

Fermerët e Komunës së Gjilanit kanë humbur qindra mijëra kilogramë miell pas depozitimit të bërë të grurit në mullirin “Bereqeti 3”, në fshatin Lladovë, pas mbylljes së fushatës së korrje-shirjeve, shkruan sot Koha Ditore.

Pronari i mullirit, Ekrem Krasniqi, para se t’ia vendoste drynin biznesit të tij dyshohet që të ketë shitur miellin e fermerëve dhe se me paratë e grumbulluara dyshohet të ketë ikur nga vendi.

Ndonëse ende nuk ka ndonjë listë të përpiluar sesa fermerë janë dëmtuar, ajo që dihet se më të prekurit janë nga fshatrat Lladovë, Zhegër, Bresalc dhe një pjesë nga komunat e Parteshit dhe Kamenicës.

Në bazë të shënimeve që ka mbledhur përfaqësuesi i fshatit Lladovë, Fadil Latifi, janë 32 fermerë të cilëve u janë avulluar 46 mijë kg miell dhe 23 mijë kg krunde.

Ai deklaron se lista nuk është e plotë dhe se rastin e kanë paraqitur në polici, përkatësisht në Departamentin e njësisë për krime ekonomike në Gjilan, ku kanë kërkuar angazhimin për arrestimin e pronarit të lartcekur.

Ai deklaron se është habitur kur kishte parë një shirit të vendosur në dyer të mullirit. Këtë shirit pohon se nuk ka njohuri se kush e kishte vendosur. /Kohës Ditore/Telegrafi/

Exit mobile version