Posta e Kosovës dhe Agjencia për zhvillimin bujqësisë (AZHB), kanë nënshkruar një marrëveshje e cila ka rëndësi të madhe për fermerët në mbarë vendin. Marrëveshja u mundëson fermerëve dorëzimin e formularëve nëpër 160 zyret postare.
Kryeshefi i Postës së Kosovës ,ka thënë se marrëveshja ka rëndësi të madhe për fermerët por edhe për Postën si institucion publikë.
“Nga kjo kontratë përfitojnë mijëra fermerë të cilëve u kemi mundësuar të marrin, plotësojnë dhe dorëzojnë formularët për ankesa në cilëndo nga 160 zyrat postare. Ata nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë nga vise të largëta deri tek zyrat e AZHB-së në Prishtinës sepse ne jemi afër vendbanimeve të tyre”, tha Hoxha, shkruan Telegrafi.
Ai ka paralajmëruar angazhim maksimal mes dy institucioneve për ketë çështje. “Ftoj të gjitha institucionet publike dhe private që të shfrytëzojnë kapacitetet dhe rrjetin e madh të zyrave tona postare, anekënd Kosovës, në mënyrë që klientëve dhe konsumatorëve të tyre, qytetarëve tanë, të ju ofrojmë shërbime sa më cilësore dhe sa më afër vendbanimeve të tyre”, ka thënë Sejdi Hoxha.
Ndërkaq kryeshefi ekzekutiv i AZHB-së Elhami Hajdari ka thënë se marrëveshja e nënshkruar me Postën e Kosovës do t’ua lehtësoj punën a tyre e po ashtu edhe për fermerët do të jetë e një rëndësie të veçantë. /Telegrafi/