Site icon Telegrafi

Fermani nga Damasku

Gazeta Javore e Bregut të Diellit përshkruan ngjarjet politike të javës:

(1) Kryetari i Sirisë Bashar Al-Assad ishte prej figurave qendrore në lajmet botërore. I priti e i përcolli përfaqësuesit e 56 vendeve bashkanëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, të cilët u mblodhën në kryeqytetin Damask në «Sesionin e Rritjes së Solidaritetit Islamik».

(2) Ndër të tjerash, Organizata e Konferencës Islamike nuk e la anash as çështjen e brishtë të Kosovës dhe myslimanëve në Evropë. Me propozim të Republikës së Shqipërisë dhe me mbështetje të fuqishme të vendeve mike si Turqia, OKI e kaloi «Rezolutën politike nr. 14/36 mbi gjendjen në Kosovë».

(3) Në Republikën e Kosovës rezoluta u quajt fitore e madhe e diplomacisë sonë. Filluan spekulimet për njohje të reja en bloc të pavarësisë nga shtete myslimane. Ndikimi i Shqipërisë u cilësua si promotori kryesor i mbështetjes që iu dha Kosovës.

(4) Serbia nuk gërzhitet për rezolutën. Sipas diplomacisë së Beogradit, rezoluta është ndryshuar dhe janë parandaluar elementet pro-pavarësisë së Kosovës që do ta dëmtonin Serbinë. Shtetet si Libia, Algjeria e Egjipti janë deklaruar kundër mëvetësisë kosovare.

Titujt i citova këtu, meqenëse gazeta nuk po ia del të fillojë botimin për shkak të krizës ekonomike, mungesës së fondeve dhe deficit intelektual që e ka kapluar vendin tonë. Këto ditë dhe këto ngjarje janë të kobshme për ne.

Mirëpo, për Sirinë ngjarjet politike të javës ishin me fat. Prijësi i saj ngriti zërin kundër opozitës ndërkombëtare të regjimit të tij jodemokratik dhe në emër të solidaritetit islam i bashkoi shtetet myslimane në qortim të njëanshëm të botës së lirë.

Aq më me fat ishin këto ngjarje për mikun e Sirisë, Serbinë. Kjo e fundit nuk u tradhtua nga mbështetësit besnikë të saj në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Rezoluta, të cilën në Kosovë e quajtëm fitore të madhe diplomatike, është më së shumti «neutrale» ndaj statusit dhe nuk i paraqet kurrfarë pengesë Serbisë në polemikën e vet antishqiptare.

Gjuha e rezolutës është shumë e butë për të pasur ndikim në favor të pavarësisë së Kosovës. Katër pikat e rezolutës janë të thukëta dhe të përgjithësuara dhe flasin shqitur dhe sa për sy e faqe për përparimet në demokraci e stabilitet dhe për ecuri plotësisht teknike. Rezoluta nuk e përcakton Kosovën si shtet të pavarur as nuk e përmend njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kurse institucionet demokratike të Republikës së Kosovës as që përmenden në mënyrë eksplicite e as që njihen si përfaqësuese legjitime të popullit.

Meqë asnjë përkthim në shqip i rezolutës nuk na është ofruar nga burimet kryesore të lajmeve në internet, po e përkthejmë versionin anglisht duke bërë kështu edhe një analizë të rëndësisë dhe ndikimit të secilës pjesë të këtij dokumenti. (Origjinalin mund ta gjeni këtu: http://www.oic-oci.org/36cfm/w/en/res/36CFM-POL-RES-FINAL.pdf <http://www.oic-oci.org/36cfm/w/en/res/36CFM-POL-RES-FINAL.pdf> )

REZOLUTË NR. 14/36-POL MBI SITUATËN NË KOSOVË

Sesioni i Tridhjetegjashtë i Këshillit të Ministrave të Jashtëm (Sesioni për Rritjen e Solidaritetit Islamik), mbajtur në Damask, Republikën Arabe Siriane prej 28 Xhamadul-Awal – 1 Xhamadul-Thani 1430 H. (23-25 maj 2009);

Udhëzuar nga parimet dhe qëllimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, Kartës së OKI-së, Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventave Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Konventat e Gjenevës të gushtit 1949, 1951, si dhe instrumente tjera të së drejtës ndërkombëtare;

Duke pranuar rolin e OKB-së në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe mbajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare;

Duke iu referuar Rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së Nr. 1160 (e 31 marsit 1998), Nr. 1999 (e 23 shtatorit 1998), Nr. 1203 (e 24 tetorit 1998), Nr. 1239 (e 14 majit 1999) dhe 1244 e 10 qershorit 1999 dhe prononcimeve përkatëse të Kryetarit të tij.

Duke iu referuar Rezolutës Nr. 16/31, miratuar në Sesionin e Tridhjetenjëtë të Konferencës Islamike të Ministrave të Jashtëm, mbajtur në Stamboll më 14-16 qershor 2004; Rezolutës Nr. 36/34 të Sesionit të 34-t të KIMJ, Islamabad, 15-17 maj 2007; Kumtesës Përfundimtare të Samitit të 11-të të OKI-së, Dakar, 13-14 mars 2008; Deklaratës së Takimit Ministror të OKI-së në Kampala në qershor 2008 dhe në Nju Jork në shtator 2008 ku shënohet Deklarata e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt 2008;

Duke ripohuar interesimin e fuqishëm të OKI-së për myslimanët në Ballkan, si dhe rëndësinë e stabilitetit në mbarë rajonin e Ballkanit;

1. Vë re progresin e bërë drejt përforcimit të demokracisë në Kosovë, që i shërben paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe të mbarë rajonin.

2. Më tej vë re rikonfigurimin e shpejtuar të Misionit të OKB-së, vendosjen e EULEX-it anembanë Kosovës, në përputhje me udhëzimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe kornizën e tashme institucionale dhe ligjore në Kosovë.

3. Mirëpret bashkëpunimin e Kosovës me institucionet ekonomike dhe financiare të OKI-së dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të vazhdojë të kontribuojë për ndërtimin e ekonomisë së Kosovës.

4. Kërkon nga Sekretari i Përgjithshëm të ndjekë implementimin e kësaj rezolute dhe të paraqesë raport më pastaj në Sesionit e 37-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm.

[FUND]

Thënë shkurt e troç, kjo rezolutë është e mbrapshtë dhe më shumë sherr se hajr. Titullimi i saj «Mbi situatën në Kosovë» krijon përshtypjen se gjendja në Kosovë nuk është në rrjedha të normales dhe ka nxitur nevojën për kalimin një rezolute të përmasave të mëdha. Por në realitet, gjendja në Kosovë është e qetë, ndërsa rezoluta është e përmasave minimale. Titulli i dhënë do të ishte i efektshëm vetëm për periudhën e paraluftës, atë luftës ose në prag të shpalljes së pavarësisë. Titulli neutral do të ishte «Mbi zhvillimet në Kosovë», ndërsa më i preferuari dhe nxitësi i njohjeve të pavarësisë «Mbi zhvillimet në Republikën e Kosovës».

«Rritja e Solidaritetit Islamik», prija nga instrumentet e të drejtës ndërkombëtare dhe njohja e rolit të OKB-së dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit për Kosovën janë retorikë formale. Rezolutat dhe dokumentet e mëparshme të OKI-së në asnjë rast nuk kanë mbështetur qartazi pavarësinë e Kosovës. Kumtesa e Samitit të Dakarit dhe Deklaratat e Kumpalës dhe të Nju Jorkut bëjnë thirrje për solidarizim me popullin e Kosovës, por nuk sugjerojnë njohjen e pavarësisë nga shtetet myslimane. Termi «solidarizim» është shumë i pafuqishëm dhe jo domosdo nënkupton njohje të pavarësisë politike. Ndërkaq, ripohimi i interesimit për myslimanët në Ballkan i shumicës së shteteve të OKI-së nuk përkon me dëshirën për solidaritet, por për përfitim në retorikën antiperëndimore dhe paraqitjen e shqiptarëve si aleatë të përpjekjeve kundër Evropës.

Pika 1 e rezolutës mund të cilësohet si më e rëndësishmja dhe më pozitivja. Vlerësimi i progresit demokratik në Kosovë mund të shkojë në favor të institucioneve të republikës. Mirëpo, kjo nuk është garanci se ky vlerësim i atribuohet nga shtetet kundërshtuese të pavarësisë institucioneve paralele të Serbisë që funksionojnë në emër të «demokracisë» serbe.

Pika 2 nuk mbështet por vetëm konfirmon zëvendësimin e UNMIK-ut nga EULEX-i dhe qeverisjen e vendit sipas kornizës së «institucionale dhe ligjore». Këtë konfirmim mund ta bëjë edhe Beogradi bashkë me një sërë vërejtjesh dhe pretendimesh rreth ndikimit të Serbisë në qeverisjen e Kosovës.

Pika 3 përshëndet bashkëpunimin ekonomik e financiar të Kosovës me OKI-në por jo edhe anëtarësimin e Kosovës në FMN. Kjo dispozitë së bashku me thirrjen për ndihmë ekonomike nuk e veçojnë Kosovën si shtet të pavarur, mirëpo vetëm e ngashënjejnë Kosovën për varshmëri më të madhe në shtetet islamike, prej të cilave një numër e njohin si pjesë të Serbisë.

Pika 4 është plotësisht teknike dhe duke marrë parasysh karakterin jopërmbajtësor të rezolutës, raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKI-së mund të përfundojë me dy fjali: (1) Rezoluta u mirëprit nga Kosova; (2) u dërgua me faks në të gjitha kryeqytetet e botës islame ku po ashtu u mirëprit. Ndërkaq, një raport i tillë nuk mund t’i përfshijë bamirësit dhe veprimtarët e vërtetë të botës islame. Ata nuk merren me rezoluta të kota, por me vepra burrërore të cilat nuk mund t’i nxisë e lëre më t’iu avitet fermani i ngathët i Damaskut.

(Autori është student nderi në Universitetin Luterian të Teksasit dhe më parë ka bashkëpunuar në hartimin e botimeve të Qendrës për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Washington, D.C.)

Exit mobile version