Ferizaj ka shënuar fitore minimale 1-0 ndaj Ballkanit në takimin e vlefshëm për javën e 20-të të Ipko Superligës së Kosovës.
Klubi ferizajas ka arritur të marr një fitore të madhe në shtëpi ndaj Ballkanit, fitore e largon nga zona e barazhit.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë dhe raste nga të dyja skuadrat, por pa konkretizim.
Vendasit rrezikuan me anë të Bashkim Shalës (13′, 38′), por goditjet e tij u pritën nga portieri mysafirë Armend Ruxhi.
Në anën tjetër, Ballkani tentoi me anë të Visar Sahitit (21′) dhe Blend Baftiut (40′), por i pari u ndal nga portieri Armend Blakçri, ndërsa i dyti goditi mbi portë.
Në pjesën e dytë, vendasit ishin më kërkues dhe më të rrezikshëm, ku në fund arritën të gjejnë edhe golin.
Pas rasteve të pasuksesshme nga Mariglen Shosha (60′) dhe Qëndrim Dautaj (63′), Ferizaj arriti të gjej golin me anë të Bashkim Shalës (85′), i cili shënoi nga afërsia për golin e fitores 1-0.
Kjo fitore e largon Ferizajn nga zona e rënies, pasi ka 21 pikë në vendin e 10-të, ndërsa Ballkani renditet i shtati me 27 pikë.
Në ndeshjen e radhës, ferizajasit e presin në shtëpi KEK-un, ndërsa Ballkani luan në shtëpi me Dritën. /Telegrafi/