Berat Hyseni nuk do të luajë për Prishtinën gjatë sezonit pranveror. Sulmuesi i njohur e ka pranuar ofertën e mirë të Ferizajt, ngjyrat e së cilës do t’i mbrojë të paktën gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Lajmin e ka konfirmuar për Arenën kryetari i nënkampionit vjeshtor, Ramadan Ademi, i cili theksoi se marrëveshja me futbollistin prishtinas është arritur të hënën.
Ademi bëri të ditur se Hyseni do tu nënshtrohet urdhrave të Bylbyl Sokolit të mërkurën. “Kemi arritur marrëveshje me Berat Hysenin, i cili nëse nuk gaboj ka prejardhje pikërisht nga Ferizaj. Hyseni të mërkurën do t’i bashkohet skuadrës, e cila po përgatitet për sezonin pranveror. Prej tij presim ndihmë të madhe”, tha Ademi për Arenën.
“Me Beratin kemi arritur marrëveshje për gjashtë muaj, normalisht me mundësi të vazhdimit të bashkëpunimit”, theksoi ai. Sipas Ademit, Ferizaj do të jetë më i fortë me ish futbollistin e disa skuadrave kosovare.
Ferizaj pret një reprezentues të Ganës
Ramadan Ademi tha se Berat Hyseni nuk do të jetë përforcimi i fundit i Ferizajt. Kryetari i këtij klubi paralajmëroi edhe përforcime tjera. Por, pas Hysenit, Ferizajt pritet t’i bashkohet edhe një lojtar nga Gana. Këtë e bëri të ditur vet Ademi, por që nuk e tregoi emrin e lojtarit ganez të cilin po e pret skuadra e tij. “Jemi në bisedime me një lojtar nga Gana. Është lojtar cilësor, pasi ka luajtur edhe për Përfaqësuesen e re të Ganës. Ardhja e tij ka të bëjë me dokumentacionin, por shpresojmë se ky transferim do të realizohet”, nënvizoi Ademi, i cili shpreson që skuadra e tij të shkëlqej gjatë sezonit pranveror në Superligë.
Pjesën e dytë të kampionatit Ferizaj do ta filloj prej vendit të dytë të tabelës me 9 pikë më pak sesa kryesuesi, Llamkos Kosova, por me gjasa për ta fituar titullin, matematikisht i ka të mira.
A do të luaj Hyseni kundër Prishtinës?
Berat Hyseni kishte kontratë me Prishtinën deri në verën e ardhshme. Por, Prishtina e ka lejuar t’i bashkohet Ferizajt, për hir të lojtarit, i cili kishte marr ofertë joshëse nga Ferizajt. Por, trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani të dielën i ka thënë Arenës se Hyseni mund t’i bashkohet Ferizajt me një kusht: Që të mos luaj në ndeshjen e ferizajasve kundër Prishtinës. Se a do të luaj Hyseni ndaj ish skuadrës apo jo, mbetet të shihet në sezonin pranveror. /Arena/Telegrafi/