Prerjet ilegale dhe shkatërrimi i pyjeve në Kosovë po vazhdon, pavarësisht masave parandaluese që i përcaktojnë ligjet e vendit. Ky fenomen bën që sektori i pylltarisë të mbetet ndër sfidat më kryesore të punës së autoriteteve, të cilat kanë nën menaxhim sipërfaqet pyjore të Kosovës.
Njëra ndër komunat më të prekura nga këto dëmtime është edhe ajo e Ferizajt, pyjet e së cilës tash e sa vite shkatërrohen e ‘zhduken’ nga kompanitë private të cilat po i shkatërrojnë ato për përfitimit e tyre personale. Komuna e Ferizajt në territorin e saj ka mbi 15 mijë hektarë pyje të larta dhe të ulta, private dhe shtetërore.
Rrjeti i Organizatave Joqeveritare “Avonet”, në këtë komunë, ka shprehur shqetësimin rreth gjendjes aktuale të pyjeve përreth territorit të Ferizajt. Sipas drejtorit të kësaj organizate, Kenan Gashi, mos koordinimi dhe të njëjtën kohë mos qasja e përcjelljes të gjendjes ka rrezikuar që të bëhet shpyllëzimi.
“Ka disa muaj ka marr një hov në shpyllëzim dhe natyrisht edhe në rritjen e prerjeve, dhe këtu nuk kemi pa një interesim të komunës në parandalim me rritjen e kontrolleve sa më të shpeshta me rojet e pyjeve, përkundrazi. E krejt kjo e ka rritur edhe degradimin më të madh, sidomos të pjesëve më të larta siç është Jezerca edhe vendet tjera”,tha Gashi.
Ndërkohë, organizata duke mos gjetur rrugë dhe mbështetje nga komuna e cila do të duhej ta kishte barrë këtë problematik, kanë iniciuar dhe kanë kërkuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt që të rrit politika ndëshkimore për dëmtuesit dhe lëndët të i përcjell një gjyqtarë, për të rritur efikasitetin e punëve. Për këtë, organizata ka pasur përkrahjen e kryetarit të kësaj Gjykate.
Ndërkohë, drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj, Ismet Vranovci tha se gjendja e pyjeve në komunën e Ferizajt sikurse në të gjithë Kosovën është mjaft shqetësuese. Ai tha se stafi i drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, në sektori n e pylltarisë, i ka të punësuar 7 roje që i kanë 10 pika për ruajtje.
“Në këtë vit rojet e pyjeve së bashku me gjithë stafin e tyre kanë bërë një punë të mirë, ku kanë konfiskuar një sasi të mirë të drunjtëve, gjithashtu kanë konfiskuar edhe mjete motorike siç janë vetura, kamionët, etj. Të gjitha këto mjete janë transportuar edhe janë bartur në vendin ku është depoja për vendosjen e tyre të cilat janë në mënyrë ilegale. Deri më tani sipas informatave dhe raporteve qe i kam nga zyrtari juridik janë ngritur me fletëparaqitje për vepra penale mbi 100 sosh. Numri është në rënie për arsye se rojet e pyjeve po punojnë ditë e natë por edhe qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen”,tha Vranovci.
Ai tha se që në vitin 2014 komuna ka pasur një marrëveshje me Policinë e Kosovës, i cili në vitin e kaluar nuk ka qenë në nivelet e duhura, ndërkohë që këtë vit po ka përmirësime. /Telegrafi/