Ndonëse në adresë të komunës së Ferizajt kanë arritur 14 kërkesa nga banorët e fshatit Tërrn për kompensimin e dëmeve të shkaktuar nga vërshimet, komuna si duket këtë vit nuk ka paraparë mjete buxhetore për këto raste.
Kryetari i komisionit për vlerësimin e dëmit të shkaktuara nga vërshimet, Xhemajl Reçica, ka bërë të ditur për Kosovapress se ende nuk është kryer në tërësi vlerësimi i dëmeve në sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore nga fakti se ka ende sipërfaqe që janë nën ujë dhe në këto raste vlerësimi është i pamundur.
Reçica, shpjegon se një vlerësim i është bërë dëmit në amvisëri dhe blegtori por jo edhe dëmit në sipërfaqet e mbjella.
“Nuk e kemi bërë asnjë kompensim derisa mos ta bëjmë vlerësimin e gjendjes faktike, sa janë të dëmtuara nga uji sipërfaqet e mbjella. Komuna nuk ka bërë asnjë pagesë, ndonëse kemi kërkesa të shumta për vlerësimin e dëmit. Nuk ka fond të veçantë për rreziqet e jashtëzakonshme, kjo është e keqja sepse rreziqet natyrore janë të paparashikuara”, ka thënë Reçica
Në mungesë të buxhetit për këto raste, komuna po shikon mundësinë e kompensimit të këtyre fermerëve nga pozicioni i subvencioneve. Kryetari i komisionit, Xhemajl Reçica, thotë se po shikohen mundësitë që këta fermerë të kompensohen materialisht përmes subvencionimit të farës, mbrojtjes etj.
“Në pamundësi të ofrimit të mjeteve monetare, tu ofrojmë diçka që mund t’ua lehtësojë dëmin fermerëve”, ka thënë Reçica.
Ndyshe, komuna e Ferizajt po shqyrton mundësinë që në bashkëveprim me Ministrinë e Bujqësisë të realizoj një projekt për kullimin e atyre kanaleve që po shkaktojnë përmbytjen e këtij fshati.
“Është një pjesë me gjatësi prej 5-6 kilometra nga Tërrni deri në hyrje të Lipjanit, që duhet pastruar ngase kanali është mbyllur dhe po pengon qarkullimin e ujit. Këtë po mendojmë që ta bëjmë së bashku me Ministrinë e Bujqësisë nga pozicioni i projekteve për kullimin e ujit”, ka thënë Reçica. /Telegrafi/