Site icon Telegrafi

Ferizaj nisin projektet investive në fushën e bujqësisë

Një numër i madh i fermerëve të komunës së Ferizajt kanë aplikuar për të qenë pjesë e një projekti komunal i cili parasheh mbështetjen e fermerëve me serra apo lehë të nxehta. Ndonëse deri në përmbyllje të afatit për aplikim ka edhe pak kohë, të interesuarit këtyre ditëve po njoftohen me kushtet e projektit.

Njëri ndër ta është edhe Rrahim Çerkini, nga Ferizaj, i cili po mendon që të aplikoj në këtë projekt që do t’i ndihmoj në krijimin e kushteve për një mirëqenie më të mirë sociale. Ai thotë se fillimisht do të njihet me kushtet e kërkuara nga komuna e tek më pastaj do ta marr vendimin e duhur. “Pasi ka edhe pak kohë për aplikim njëherë do të njihem me kriteret e tek më pastaj të vendosi nëse do të jem pjesë e këtij projekti”, thotë Rrahimi.

Në anën tjetër, zyrtarë komunal nga Drejtoria për Bujqësi, kanë thënë se komuna ka nis me projektin e parë për këtë vit, i cili do të realizohet me mjetet komunale nga granti i subvencioneve në bujqësi.
Drejtori i kësaj drejtorie, Xhemajl Reçica, ka thënë për KosovaPress se përfitues të këtij projekti do të jenë 13 fermerë të cilët do të seleksionohen nga një komision i cili do të formohet së shpejti. “Interesimi është i madh dhe kemi shumë aplikime. Komisioni do t’i shqyrton të gjitha aplikacionet dhe do të përfitoj ai i cili më të vërtetë i plotëson kushtet, i cili punon dhe kontribuon për komunën e Ferizajt përmes prodhimeve vendore në perimkulturë”, tha Reçica.

Për më tepër bëhet e ditur se pas mbylljes së tenderi do të dihet edhe firma fituese. Zyrtarët shpjegojnë se shuma për një aranazheri do të shkoj deri në 5900 euro. “Tenderi mbyllet sot, në garë janë tre ofertues. Një fermer i cili e përfiton këtë subvencion do të paguaj 1300 euro. Aranzheria përfshinë një sipërfaqe prej 512 metra katror, këtu hynë konstrukti i saj, folija dhe sistemi i ujitjes. Fermerit i mbetet të përcaktohet për llojin e perimeve që do t’i mbjellë”, tha Xhemajl Reçica.
Komuna e Ferizajt, gjatë këtij viti ka ndarë një shumë bukur të lartë buxhetore për subvencionimin e disa veprimatrive bujqësore.

Bëhet e ditur se kjo përkrahje e komunës përmes subvencioneve së bashku edhe me disa projekte tjera me donatorë do të arrijë shumën investive afro 500 mijë euro për këtë vit. /Telegrafi/

Exit mobile version