Site icon Telegrafi

Ferizaj merr tri pikë të mëdha ndaj Llapit

Ferizaj ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 përballjen ndaj Llapit, të vlefshme për javën e 24-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Ferizaj ka marrë tri pikë shumë të mëdha në shtëpi duke u distancuar momentalisht nga zona e rrezikshme.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të hapur dhe raste nga të dyja skuadrat, ku u shënuan edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes u shënua pas 11-të minutave lojë me anë të Valmir Nafiut, i cili shënoi për epërsinë 1-0, ndërsa Blendi Baftiu (17’) barazoi shifrat në 1-1.

Megjithatë, Antonio Ilieski (42’) u përkujdes për golin e dytë duke dërguar Ferizajn në pushim me epërsi 2-1.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e mbyllur, por më e ashpër dhe hera herës me tensione.

Pas 45 minutave të dytë nuk pati gol dhe Ferizaj mori në fund tri pikë të vlefshme pas një fitore 2-1.

Pas kësaj fitore, Ferizaj e sheh veten në pozitën e pestë me 32 pikë, ndërsa Llapi renditet i teti me 26 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, ferizajasit luajnë në udhëtim te Ballkani, teksa llapjanët e presin Suharekën. /Telegrafi/

Exit mobile version