Ferizaj ka marrë pikët e para në Superligë pasi ka mposhtur Lirinë e Prizrenit me rezultat minimal 1-0.
Mysafirët nga Prizreni e nisën ndeshjen më mirë ku në minutën e nëntë rrezikuan me Dacin por që goditja e tij shkoi jashtë portës.
Gjashtë minuta më vonë Florim Bërbatovci i vendasve shënoi por që goli iu anulua, pasi gjyqtari Tefik Maloku ndali lojën pasi sulmuesi vendas shkaktoi ndërhyrje të palejuar.
Bërbatovci pati një rast tjetër të mirë shënimi pesë minuta më vonë, por që harkimin e bukur të Dautajt nuk arriti ta shfrytëzojë.
Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë nisi me iniciativën e vendasve, kur Genc Hamiti rrezikoi menjëherë por pa sukses.
Golin e tri pikëve për Ferizajn, e shënoi Avdyl Haliti në minutën e 88-të duke ndezur tifozët e pranishëm në stadium.
Mysafirët nga Prizreni tentuan të barazonin rezultatin por një gjëje të tillë nuk ia arritën.
Kësisoj Ferizaj arkëtoi tri pikët e para në këtë edicion në Superligë, ndërsa Liria mbetet pa pikë pas dy ndeshjeve.
Në ndeshjen e radhës, Ferizaj do të luaj në udhëtim te Llapi, ndërsa Liria pret kampionin në fuqi Dritën. /Telegrafi/