Telegrafi

Ferizaj i kthehet fitoreve, e mund Drenicën

Ferizaji ka shënuar fitoren e dytë këtë edicion pasi mposhti Drenicën në shtëpi me rezultat 2-0.

Ndeshja filloi me dominim të vendasve, të cilët të shtyrë nga publiku kërkuan golin.

Rastin më të mirë e pati Mentor Mazrekaj, i cili qëlloi shtyllën. Ishte kjo shtylla e dytë e Ferizajt vetëm në pjesën e parë.

Pjesa e parë u mbyll megjithatë pa gola, të cilat erdhën në pjsën e dytë.

Pas 67 minutash lojë ishte Genc Hamiti ai që shënoi për 1-0 dhe gëzimin e tifozëve vendas.

Drenica nuk arriti të bënte ndonjë rast të mirë deri në fund dhe Ferizaj u shfaq kompakt deri në fund, madje gjeti edhe një gol me anë të Gashit, goditja e të cilit u devijua.

Rezultati përfundimtar i takimit ishte 2-0.

Ferizaj me këtë fitore ka shtatë pikë pas tetë javësh, me dy fitore të arritura. Drenica u mposht pas katër ndeshjeve në Ipko Superligë.

Javën e ardhshme Ferizaj i shkon Ballkanit në Suharekë, kurse Drenica e pret Dritën. /Telegrafi/