Ish sulmuesi i Prishtinës shënoi njërin nga golat e fitores së ferizajasve në duel me Hajvalinë. Ferizaj me këtë fitore arrin në kuotën e shtatë pikëve, një me pak se lideri i tabelës, Llamkos Kosova.
Fazliu të hënën i tha KosovaPressit, se skuadra e tij do t’ia bëjë hyzmetin garës për titull të kampionit deri në fund të kampionatit.
“Kur je në krye të tabelës mund t’i shfaqesh vlerat e skuadrës. Kjo fitore ka ndikuar pozitivisht në skuadrën tonë. Mendo se ne kemi ekip që mund të ia dalim mbarë deri në fund të sezonit. Ne deri në fund të kampionatit do të luftojmë për titull të kampionit, dhe besoj se kemi skuadër që mund të bëhem kampion”, ka thënë Fazliu.
Ai thotë se është i kënaqur me fitoren e djeshme. Sipas tij, Ferizaj ndeshje pas ndeshje po e gjen lojën të cilën po e kërkon.
“Jam i kënaqur me rezultatin ndaj Hajvalisë, ndërsa sa i përket lojës them se dal nga dal kemi nisur ta gjejmë lojën tonë. Sigurisht se kjo fitore ka rritur besimin në skuadrën tonë dhe mendoj se ky besim do të vërehet në ndeshjet e ardhshme”, tha Fazliu.
Sulmuesi ferizajas beson se skuadra e tij do të vazhdojë rrugën e fitoreve edhe në këtë fundjave, ku Ferizaj do të luajë në Mitrovicë kundër Trepçës. /KosovaPress/Telegrafi/