Telegrafi

Ferizaj formon shtabin emergjent për shkak të borës së madhe, qytetarët ankohen për mos pastrimin e rrugëve (Foto)

Bora që ka rënë dhe po vazhdon të bie ka shkaktuar probleme në disa komuna të Kosovës. Gjendje pak më e rëndë vërehet në qytetin e Ferizajt, ku sipas banorëve rrugët në këtë qytet janë të mbyllura.

Në disa fotografi që kanë ardhur në adresë të Telegrafit, shihet sasi e madhe e borës nëpër rrugë dhe sipas banorëve asnjë kompani pastrimi nuk është parë duke larguar borën.

Telegrafi ka kontaktuar me kryetarin e Ferizajt, Muharrem Sfarqa i cili ka thënë se tashmë është formuar shtabi komunal i emergjencës për tu dalë në ndihmë qytetarëve.

“Është formuar shtabi komunal i emergjencës dhe është ngritë shkallë gatishmërie janë mobilizuar të gjitha institucionet, kompanitë private po ashtu edhe publike janë në shërbim të pastrimit të rrugëve, gjithçka që është në dorë të institucioneve është duke u kryer”, ka thënë Sfarqa./Telegrafi/