Telegrafi

Ferizaj edhe këtë vit i jep prioritet bujqësisë

Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në Ferizaj ka nisur implementimin e projekteve të parapara në bujqësi përmes subvencionimeve. Bazuar në planifikimet buxhetore, gjatë këtij viti nga buxheti komunal do të ndahen mjete në vlerë prej 314 mijë eurove për subvencionimin e disa degëve të bujqësisë.

Zyrtarë nga kjo drejtori kanë shpalosur të mërkurën projektet dhe shumat investive që do të shkojnë në realizimin e këtyre projekteve. Edhe këtë vit subvencionimet do të prekin sektorin e aranzherisë, bujqësisë, blegtorisë, perimtarisë, pemëtarisë, bletarisë, mbrojtjes së bimëve si dhe sistemin e ujitjes.

Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, Xhemajl Reçica, gjatë një paraqitje publike ka thënë se tashmë në fazën përfundimtare ndodhet projekti i serrave dhe i mbrojtjes së bimëve, ndërsa shumë shpejtë pritet që të përfundoi edhe projekti i lopëve qumështore. Reçica, ka vënë në dukje se për 13 serra kanë aplikuar 48 fermerë dhe se një komision që nga nesër do të filloj të merret me seleksionimin e aplikuesve.

“Për këtë projekt është paraparë një shumë prej 60 mijë eurove, përfituesit do të pajisen me serra, sipërfaqja e të cilave do të jetë 512 metra katror”, ka thënë Reçica.

Edhe sa i përket projektit të mbrojtjes së bimëve, sipas zyrtarëve të kësaj drejtorie janë diku 1800 fermerë që do të pajisen me një preparat për mbrojtjen e kulturave vjeshtore sidomos të grurit. Reçica ka shtuar se procedurat për këtë projekt tashmë kanë përfunduar dhe që nga java e ardhshme fermerët pritet të pajisen me këtë preparat.

Një ndër projektet i vlerësuar si më kryesori është projekti i lopëve qumështore i cili tashmë ndodhet në fazën e tenderimit. Sipas projektit pritet që të shpërndahen 200 lopë qumështore.

“Tenderi për këtë projekt dy herë ka dështuar, ndërsa pritet që të hënën të vlerësohet tenderi dhe të dihet përfituesi”, ka nënvizuar Reçica.

Në kuadër të subvencioneve tjera sektori i bujqësisë ka paraparë ndarjen edhe të 600 koshereve me bletë, pastaj subvencionimi i sistemit të ujitjes, i mbrojtjes së kulturave lavërtarë si dhe subvencionimi i pemëtarisë së imtë.”Përfitues të koshereve me bletë do të jenë ata fermerë që i kanë më së paku edhe 5 koshere tjera, ndërsa gjatë këtij viti do të përfitojnë pemëtarët që planifikojnë të mbjellin mjedrën, manaferrën dhe dredhëzën”, ka thënë drejtori Reçica.

Për më tepër bëhet e ditur se kjo drejtori është duke punuar edhe në sigurimin e ndonjë donacioni tjetër, ndërsa për të gjitha projektet e parapara fermerët duhet të participojnë me 25% të mjeteve.

“Kur shumës së planifikuar nga buxheti i shtohet edhe participimi i qytetarëve si dhe ndonjë donacion nga ndonjë organizatë tjetër, besojmë se investimet në bujqësi për këtë vit do ta arrijnë shumë e 600 mijë eurove”, ka theksuar Xhemajl Reçica.

Ndryshe në këtë drejtori janë duke i kushtuar kujdes mbrojtjes së pyjeve dhe projekteve veterinere. Për të paren zyrtarët thonë se ka rënie drastike të prerjes ilegale të pyjeve. Sipas statistikave të disponueshme nga kjo drejtori niveli i prerjes së pyjeve ka rënë në masën prej 80%, ndërsa edhe eleminimi i qenve endacak që bie në kuadër të shërbimeve veterinere gjatë kësaj kohe është intensifikuar. /Telegrafi/