Ferizaj pas fitores në javën e kaluar ndaj Trepçës ’89, tashmë gjendet në kreun e tabelës, por sipas Dajakut, skuadra e tij nuk është e shqetësuar për pozitën në të cilën ndodhet, por ai thotë se loja e bukur është objektiv i Ferizajt.
Dajaku mendon se krahas ndeshjeve të bukura, edhe rezultatet pozitive nuk do të mungojnë.
“Renditja momentale nuk është shqetësimi ynë. Ne jemi duke bërë punë maksimale në mënyrë që t’i ofrojmë tifozëve tanë futboll të bukur. Mendoj se ekipi ynë nga loja në lojë do të bëj krenar gjithëkënd që do ta ketë fanellë që ne e djersisim”, ka thënë për Kosovapress, Dajaku.
Ai nuk e lënë anash as garën për titull të kampionit. Sipas tij, Ferizaj ka potencial që të bëj gjera të mëdha në këtë edicion të garave.
“Nuk them se titulli nuk është synim i yni, por ne nuk shqetësohemi për renditjen momentale, sepse çdo ndeshje e marrim seriozisht duke dhënë maksimumin dhe në këtë mënyrë ndërtojmë skuadrën e denje për sfidat e ardhshme, e duke tentuar që të përmirësojmë veten në çdo ndeshje”, tha ai.
“Mendoj se nga loja në lojë po tregojmë se kemi bërë lojën tonë që nuk ngjason me lojën e asnjë skuadre tjetër, dhe se ne jemi në gjendje të bëjmë lojë më ritëm të lartë. Ky fakt tregon qartë se ne kemi kualitete te duhura për të arritur gjera të mëdha”, ka theksuar Dajaku.
Të përzgjedhurit e Bylbyl Sokoli sfidën e radhës do ta luajnë në shtëpinë e tyre kundër Feronikelit. Dajaku thotë se skuadra e tij nuk do ta ketë lehtë me ekipin nga Drenasi, por ai pohon se skuadra e tij synon rezultat pozitiv edhe në këtë duel.
“Do të jetë një lojë e vështirë pasi përballë kemi një ekip mjaft të mirë që ka element të mirë brenda vetës, por ne do të përpiqemi maksimalisht që të marrim rezultat pozitiv”, ka përfunduar Dajaku.
Sfida në mes Ferizajt dhe Feronikelit do të luhet të shtunën në kuadër të xhiros së 11-të të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll. /Kosovapress/Telegrafi/