Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, Pas 21 ditësh, komuna e Ferizajt ka dalë nga karantina.
Kjo është bërë e ditur nga kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, përmes një shkrimi në Facebook.
“Ditë me radhë kërkova heqjen e karantinës për Ferizajn. Kryeqyteti ekonomik i Kosovës – Ferizaj pësoi nga izolimi, qytetarët gjithashtu, por lajm i mirë është se arritëm ta ulim maksimalisht shkallën e infeksionit me virusin COVID-19 në Ferizaj e gjithashtu të jemi në mesin e komunave me numrin më të lartë të të shëruarve nga ky virus. Karantina u hoq, kujdesi duhet të vazhdoj, paçim shëndetin bashkëqytetarë”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliut.
Ferizaj mbetet komuna më e prekur deri tash nga coronavirusi në Kosovë.
Deri tash aty janë regjistruar 98 raste nga 813 sa janë në total në nivel vendi.
Ndërkaq vendim i MSh-së, për largim nga karantina erdhi pasi ditëve të fundit nuk janë regjistruar raste të reja me COVID-19./Telegrafi/