Site icon Telegrafi

Ferizaj deklason Hajvalinë, fitojnë edhe Trepça ‘89 e Drita si mysafirë

Sot (diel) janë luajtur tre ndeshje të Superligës së Kosovës në futboll.

Ndeshja më interesante ishte ajo në mes të Gjilanit dhe Trepcës ’89, ku fitore shënuan mysafirët nga Mitrovica me rezultat 2:1.

Goli i parë i ndeshjes u shënua nga sulmuesi nigerian i Trepçës ’89, i cili shënoi në minutën e 29-të dhe më këtë gol edhe mbyllet pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, vendasit e Gjilanit u treguan më këmbëngulës deri sa gjeten golin e barazimit me anë të sulmuesit Isa Eminhaziri, i cili shënoi nga penalltia në minutën e 74-të, pas prekjes me dorë të Izmakut, i cili u përjashtua nga loja pas dy të verdhëve.

Lexo po ashtu Besa befason kampionin, Drenica fiton me lehtësi ndaj Lirisë

Ishte ky futbollisti i dytë i mitrovicasve që u largua nga gjyqtari Kosumi, pasi më parë largoi edhe sulmuesin Fiton Hajdari.

Megjithatë, edhe pse pa dy futbollistë, Trepça ’89 arriti të gjej edhe golin e dytë dhe të fitores, me anë të Florent Hasanit, i cili shënoi në minutën 83-të pas një kundërsulmi.

Në ndeshjen tjetër, Ferizaji deklasoi Hajvalinë me rezultat 4:0, ku golat për vendasit i shënuan të gjitha në pjesën e parë, me anë të Shkëmbim Salihut, i cili shënoi katër gola (17’, 23’, 33’ dhe 40’).

Fitore shënoi edhe Drita në udhëtim te Trepça, ku fitoi 1:0 me golin e shënuar nga Leutrim Kryeziu, i cili shënoi në minutën e 86-të. /Telegrafi/

Exit mobile version