Site icon Telegrafi

Ferizaj, banorët e 5 fshatrave rrezikohen nga shtyllat e vjetra elektrike

Banorët e fshatit të Vjetër, Zllatar, Sojevë, Mirosal dhe Dardani të Komunës së Ferizajt po vazhdojnë të ndihen të rrezikuar nga vjetërsia e shtyllave dhe rrjetit elektrik.

Sipas banorëve të këtyre lokaliteteve shtyllat elektrike që ishin vendosur 25 vjet më parë, duhet të zëvendësohen me të reja përderisa qytetarët janë taksapagues të rregullt të energjisë elektrike ndaj KEDS-it, shkruan sot “Koha Ditore”.

Xhevat Sallahi, përfaqësues i fshatit Zllatar, njëherësh këshilltar në KK të Ferizajt, nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë se tensioni i lartë që vjen nga fshati Bibaj në drejtim të pesë fshatrave duhet të riparohet me urgjencë, ngase shpesh ka defekte e shtyllat rrezikojnë shtëpitë e banimit.

“Rrjeti i tensionit të lartë me 10 KW, vjen nga fshati Bibaj për t’i furnizuar me energji elektrike fshatin e Vjetër, Zllatar, Sojevë, Mirosal dhe Dardani, mirëpo për një defekt të vogël si pasojë e vjetërsisë së rrjetit dhe shtyllave mbesim pa rrymë 5 fshatra, andaj një gjë e tillë po ndodh shumë shpesh. Si banorë të këtyre lokaliteteve ndihemi të rrezikuar nga vjetërsia e shtyllave elektrike, sepse kemi pasur raste kur shtyllat kanë rënë mbi shtëpi të banimit”, ka thënë Sallahi.

Sipas tij, KEDS-i i kishte dhënë premtimet e veta se të gjitha fshatrat do të pajisen me shtylla të reja të betonit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. /Telegrafi/

Exit mobile version