Site icon Telegrafi

Ferizaj arrin fitore të madhe me përmbysje, Liria zyrtarisht largohet nga Ipko Superliga e Kosovës

Ferizaj ka arritur ta mposhtë me rikthim Lirinë 3-1, për ta bërë një hap të madh drejt shpëtimit, ndërsa prizrenasit edhe zyrtarisht largohen nga elita e futbollit kosovar.

Mysafirët nga Prizreni e nisën më mirë takimin, ku në minutën e 15-të patën rastin e parë të mirë me Blendi Memaj por që goditja e tij shkoi jashtë portës.

Gjashtë minuta më vonë prizrenasit kaluan në epërsi kur realizoi një gol të bukur super talenti Diellor Beseni për 0-1.

Ferizaj u hodh në sulm për ta barazuar rezultatin, derisa këtë gjë e arriti në minutën e fundit të pjesës së parë me Ermal Krasniqin.

Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Pjesa e dytë i takoi Ferizajt, që nga fillim i saj tentuan të gjenin golin e epërsisë.

Qëndrim Dautaj dhe Dren Gashi patën raste të mira por që nuk arritën ta dërgonin topin në rrjetë.

Ishte minuta e 77-të e ndeshjes kur mbrojtësi i majtë Dardan Qerkini realizoi për 2-1 pas asistimit nga Dren Gashi.

Krejt në fund të ndfeshjes, sulmuesi këmbëshpejtë, Dren Gashi pas një kundërsulmi arriti të realizoj për rezultatin përfundimtar 3-1.

Pas kësaj fitore, Ferizaj ngjitët në pozitën e tetë në tabelë me 37 pikë të tubuara.

Ndërkohë Liria edhe zyrtarisht largohet nga elita e futbollit kosovar pas katër viteve qëndrim.

Ndeshjen e radhës Ferizaj e zhvillon në udhëtim te Trepça ’89, ndërsa Liria para adhuruesve të vet e pret KEK-un. /Telegrafi/

Exit mobile version