Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, është ankuar në KQZ me arsyetimin se shumica (52 nga 98 anëtarë sa ka gjithsej) e Këshillit Drejtues të kësaj partie, po zhvillon aktivitete për cilat ai thotë se janë në kundërshtim me statutin e partisë.
“Me keqardhje ju informoj se nga ana e një pjese të Këshillit Drejtues të partisë janë duke u zhvilluar aktivitete që kanë për qëllim organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, siç është quajtur ‘Zgjedhor’”, thuhet në letrën të cilën e ka siguruar Veriu.info e që Agani i ka dërguar KQZ-së përmes të cilës kërkon që të stopohet ky proces.
Në ankesë Agani e pranon se shumica e Këshillit Drejtues të partisë është duke e përkrahur krahun tjetër.
“Mbledhja në fjalë nuk është thirr nga Kryesia e partisë dhe në tubimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues ku është vendos të thirret Kuvendi i Jashtëzakonshëm ‘Zgjedhor’ i partisë nuk kanë qenë prezent 2/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, por vetëm 52 nga 92 anëtarë…”, thuhet ndër të tjera në letrën e protokolluar në KQZ me 9 shtator 2016.
Përmes një konferenca për media javën e kaluar, nënkryetari Jeton Svicra kishte bërë të ditur se Këshilli Drejtues i Partisë së Drejtësisë, i cili është kryesuar nga ai, nënkryetarja Labinotë Demi-Murtezi, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Drejtësisë, Fidan Mustafa, më datën 3 shtator kishte organizuar në mbledhje me përfaqësimin e 21 degëve të Partisë së Drejtësisë, përkatësisht 16 kryetarëve të degëve – prej 24 sa ka PD-ja – dhe 52 anëtarëve të Këshillit Drejtues – nga 92 anëtarë sa janë gjithsej. Në këtë mbledhje ishte vendosur unanimisht që të shfuqizohen të gjitha vendimet jostatutore të një pjese të Kryesisë së Partisë së Drejtësisë, nga dy mbledhjet e fundit të Kryesisë të cilat nuk kanë patur kuorumin e mjaftueshëm. Njëkohësisht ishte vendosur legjitimimi i iniciativës politike brenda PD-së për organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm zgjedhor gjatë muajit shtator. /Veriu/